Ishte fillim pranvere. Mëngjeseve, pa lindur mirë dielli, dëgjoja vajin alegorik të qyqeve; mbrëmjeve, deri vonë, më tmerronte angullima e qenve. Babai, në krevat, luftonte me vdekjen, që kishte mbërritur e priste të vendoste fatkobin tim. Im vëlla, që s’ishte veçse katër vjet më i madh se unë, më vështronte dhimbshëm dhe ndonjëherë më hidhte krahun rreth qafës, si për të më dhënë shpresë.
Atë pragmesdite dy zogj të zi, të zi si nata, turreshin të shqyenin njëri-tjetrin me kthetra e sqep të madh, sipër shtëpisë sonë, në mbretërinë e skifterëve në qiell. Krrau-krrauet e tyre shponin hapësirën e qiellit. Ai shpendkeq sikur i thërriste vdekjes, zisë, dhembjes, vajit e gjamës.
Nëna, si një burrneshë e vërtetë, më jepte shpresë e besim; me veprimet e saj të sigurta e të vendosura, sikur më thoshte: “S’dua ta provoj shijen e mëshirës.” Dera e dhomës matanë u hap dhe prej andej doli motra ime, mjeke; harqet e vetullave të saj u bënin strehë ca syve të lodhur e të skuqur nga të qarat. Ndërsa nga krevati i tij u dëgjua një gulçim vdekjeje.
Nëna e shikoi rreptë, por ajo s’i la kohë të fliste, se, ashtu me sy përlotur, iu drejtua: “Ngrehu, se po të pret baba, shko dhe ti,” i tha vëllait tim. Unë lëviza vendit, por ajo më tha: “Ne do të rrimë bashkë.” E mori shkullojën dhe përpushi me të në zjarr, pa folur asnjë fjalë. “A po shkon deri te kroi e na mbush ujë?” më tha motra, që duket se nuk donte të më kishte nëpër këmbë.
Nuk fola, ndonëse nuk doja të largohesha; e ndjeja se po ndodhte diçka e frikshme, e dhimbshme, diçka që të gjithë mundoheshin të ma fshihnin, të mos ma thoshin. Mora shtambën dhe u nisa drejt burimit. S’e di përse pata një ndjesi të çuditshme, sikur kroi gurgullonte pikëllim. Ndër livadhe harliste bari i njomë.
Kur mbërrita në shtëpi, nga dhoma ku babai jepte e merrte me vdekjen, vetullngrysur si një muzg me re, po dilte vëllai im. “A të shkoj edhe unë ta shoh babanë?” iu luta më shumë vëllait tim sesa motrës që ishte më e madhe. “Prit,” tha vëllai im, “vetëm pak, se diçka po bisedon me nënën, dhe shkojmë bashkë.” Motra vazhdonte të përpushte me shkullojën e hekurt në hirin me prush lisi.
Dera u hap, motra u ngrit në këmbë. “A të shkoj edhe unë te baba?” mërmërita përsëri, si të mos u besoja fjalëve të vëllait tim. Por ai më mori për dore dhe të dy kapërcyem shqimin e derës e iu afruam krevatit të tij. “Hajde te baba, bir,” më tha me gjysmë zëri, dhe kokën time e mbështeti në gjoksin e tij.
Ato rrahje në atë kraharor i njihja, por tashmë ishin ndryshe; kishin një ritëm tjetër, një përqafje të përmallshme, të dhimbshme. Lodhja i ishte ulur mbi vetulla. “Mos e mërzisni, dëgjojeni nënën tuaj. Duajeni fort njëri-tjetrin.” Një lot sikur kishte filluar të marrë jetë në sytë e tij. “Shko tani, të pastë baba.”
Kështu, i tërhequr nga motra, u shkëputa prej tij, që për herë të parë m’u duk si një statujë e hirtë, me buzëqeshjen e ngrirë. Ky ishte edhe takimi im i fundit për së gjalli me babain, sepse dy-tri orë më vonë ai ndërroi jetë. Të nesërmen në mbrëmje, qokthi zuri vajin e tij. Unë, në krevat, përkundesha nga njëmijë klithma.
Kur gjumi, ndoshta, ishte duke më zënë, dëgjova një zë të butë, pëshpëritës, që sikur më tha: “Po kjo do të bëjë shumë arra, më shumë se të tjerat, biri im.”
Nuk e di nëse isha zgjuar apo isha në ëndërr; vetëm një gjë e di mirë: atë zë e kam dëgjuar dhe njohur mirë, ishte zëri i tim eti, edhe pse ai tashmë flinte në prehrin e natës, mbështjellë nga terri nën dhe. …Nuk kishin kaluar më shumë se tre a katër muaj, kur unë isha kthyer nga shkolla; babain s’e kisha gjetur në shtëpi dhe menjëherë kisha pyetur: “Ku është baba?”
Nëna më kishte dhënë të haja dhe më kishte thënë se është te ara; kështu, sapo hëngra bukë, u nisa vrap drejt arës, dhe babain e gjeta duke mbjellë një arrë mu në mes të arave. “A u lodhe?” e pyeta unë. “Hajde, të pastë baba, ç’notë more sot?” “Çfarë je tue mbjellë?” “Një arrë,” vijoi ai. “Po ne kemi kaq shumë arra në arat tona, e ti ke tri ditë që gërmon me ba gropën e kësaj.”
“Po kjo do të bëjë shumë arra, më shumë se të tjerat, biri im.” “Babë, sot ishte mbledhur një grumbull njerëzish te kisha.” “Ani, të pastë baba, ndoshta ka qenë ndonjë mbledhje.” “Jo, babë, në shkollë na thanë se tash e mbrapa nuk do të ketë më kishë.” “Ti mëso shumë, kjo është detyra jote; të tjerat s’kanë ç’të duhen tani, se je ende fëmijë.”
Vërtet, arra në mes të arave u rrit shpejt, ndoshta ngaqë vendin rreth saj, vit për vit, e punonim dhe e plehëronim; dhe ajo, pas ca vitesh, prodhonte shumë më tepër se të tjerat, që gjendeshin nëpër fundet e brigjeve, anës arave dhe pranë prroskave.
Sa herë e vilnim atë arrë, mua më dukej sikur më fliste zëri i babait, që thoshte: “Po kjo do të bëjë shumë arra, më shumë se të tjerat, biri im.” Kaluan vite, dhe në kapërcyellin e kohëve, kur unë i kisha dhënë fund studimeve të larta dhe po ktheheshim në shtëpi, në oborrin e kishës gjeta një meshë duke u dhënë nga një prift i vjetër.
Nuk u ndala, dhe ndoshta nuk do të më kujtohej kurrë historia e arrës sonë, po qe se nuk do të kisha dëgjuar historinë e dhimbshme se si një ministër, bashkë me zëvendëskryeministrin – agronom nga profesioni – ishin akuzuar që po prisnin e shisnin drutë e arrave në Dibër. Por as kjo s’kishte lidhje me arrën në mes të arave dhe me babain tim, që kishte vdekur vite më parë.
Ishin mbledhur të gjithë e më uruan përfundimin e studimeve, unë që isha edhe fëmija më i vogël i prindërve të mi. Kur motrat kishin ikur nëpër shtëpitë e tyre, të nesërmen e përfundimit të studimeve, nëna na thirri të treve, vëllezërve, dhe, duke iu drejtuar vëllait të madh, i tha: “Dëgjo, arrën në mes të arës do ta presim.” “Në asnjë mënyrë,” ndërhyra unë.
“Ajo arrë është fat për ne që e kemi. Pastaj prodhon sa gjithë të tjerat bashkë. Atë e ka mbjellë babai në fundjetën e vet. Ne mund të presim cilëndo arrë tjetër, nëse na duhet druri i saj për të mobiluar shtëpinë, por atë – jo kurrsesi.” “Nesër do ta presim arrën në mes të arës,” tha nëna prerë. “Pse?” e pyeta unë përsëri, ndërsa përbrenda nisi të më cingërijë një inat i zemruar.
“Nuk e di,” tha nëna, “por arrën do ta presim nesër,” dhe vështrimin e rrëzoi përdhe. Buzëmbrëmja u lëshua nëpër luginat. Diku, në errësirën e natës, zuri të marrë jetë klithma e qokthit. Aty, në shtëpinë e vjetër, kërkoja fëmijërinë. Në mjegullën e kujtesës më vinte dita kur ishte mbjellë ajo arrë. * * * “Çfarë je tue mbjellë?” e pyeta. “Një arrë.”
“Po ne kemi kaq shumë arra në arat tona, e ti ke tri ditë që gërmon me ba gropën e kësaj.” “Po kjo do të bëjë shumë arra, më shumë se të tjerat, biri im.” “Babë, sot një grumbull njerëzish ishin mbledhur te kisha.” “Ani, të pastë baba, ndoshta ka qenë ndonjë mbledhje.” “Jo, babë, sot te kisha po jepej meshë,” mërmërita unë. “Po nesër do ta presim arrën…”
Pa lindur mirë dielli, nisi vaji i qyqeve. Isha zbuluar dhe ndjeja ftohtë; më dukej sikur po më zinte frymën mjegulla e ftohtë e mëngjesit. Një zë i butë, pëshpëritës, sikur më tha: “Po kjo do të bëjë shumë arra, më shumë se të tjerat, biri im.”
Nuk e di nëse e kam dëgjuar vërtet apo isha në ëndërr; vetëm një gjë e di mirë: atë zë e kam dëgjuar dhe njohur mirë, ishte zëri i tim eti, edhe pse ai kishte vite që kishte vdekur. Vetëm di se atë mëngjes kisha brofur në këmbë, duke ngulur në ajër një britmë.
Dola te dritarja e kullës dhe vështrimin e hodha ndër arat, në mes të të cilave gjendej ajo, e zbuluar, trupi i së cilës qëndronte lakuriq. Pasdite nuk do të ishte më aty. Fjalët e kishin humbur fuqinë magjike. Po pse, vallë, kishte vendosur ta zhdukte pikërisht atë? Dola në dhomën e ndenjes, ku nëna ishte duke pirë kafenë e mëngjesit bashkë me dy vëllezërit e mi.
“Hajde, të pastë nëna, edhe ti pi një kafe me ne, se unë do t’ju them diçka.” Vëllai im më dha filxhanin që nëna e kishte mbushur me kafe. “Vite më parë, bijtë e mi, në atë dhomë, babai juaj po jepte shpirt e më thirri…” Dera e dhomës matanë u hap, dhe prej andej doli macja; por mua m’u kujtua momenti kur, atëherë, andej kishte dalë motra ime.
Ndërsa nga krevati i tij m’u duk sikur e dëgjova sërish gulçimën. Sapo doli, ajo tha: “Ngrehu, se po të pret baba, shko dhe ti,” i tha vëllait tim… “Kur kohët të kenë ndryshuar,” më pati thënë, dhe vazhdoi bisedën nëna, “atëherë thirri djemtë e thuaju ta presin arrën.
T’ia shkulin edhe rrënjën e fundit asaj, dhe të gërmojnë thellë në gropën e saj, e ta kërkojnë e ta gjejnë atë që unë munda të bëj për ta…” Ne u vështruam njëri-tjetrin ndër sy. “Nënë,” thashë unë si nëpër dhëmbë, “kjo histori më ngjan si përrallat e gjyshes.” “Ani, ne kështu do të bëjmë,” tha ajo prerazi.
Pasi i pimë kafetë, dolëm; vëllai i madh ma hodhi krahun mbi qafë, ndërsa vëllai tjetër kishte marrë motosharrën, dhe u drejtuam nga arra. Në qiell, një zog i madh u ngrit në mbretërinë e skifterëve, atje lart, lëshoi një pingërimë të shkurtër, pastaj zuri të fluturojë krenar. Arra ngadalë filloi të marrë anash, por pastaj u plandos përdhe njëherësh. Mua sikur m’u këput diçka në gjoks.
Nga ana e përroit, djali i xhaxhait i thirri vëllait të madh: “A ke marrë shembullin e ministrave, që iu ke hyrë e po pret arrat që mbolli yt atë?” Por vëllai im, pa dashur të merrej shumë me të, i ishte përgjigjur: “Po s’i ke njehur sot, more burrë.” E pas kësaj, edhe gjethet nisën thashethemet e fjalëve. E cungoi vëllai me kujdes trungun e saj, që të mund ta përdornim për mobilje.
Eh, ç’trup të drejtë kishte! “Kund a ka Zot,” pati thënë, thoshin, një plak i katundit, “djemtë e filanit tash nuk pyesin më; i presin pemët që ua ka mbjellë i ati, se duan të bëjnë mobilje të mira.” Arat mbetën pa arrën. Po mua më dukej se ato kishin mbetur pa rojtarin e tyre. Ndërsa ne kishim mbetur pa kujtimin e babait.
“Do të hapim një gropë aty ku ka qenë arra,” tha nëna një ditë të shtunë. Ashtu bëmë; gërmuam thellë nën rrënjët e arrës. Doli një dru gjysmë i kalbur; ne filluam të gërmojmë me kujdes.
Ishte krejt si një sofër e vënë përmbys, që shërbente si kapak i një tinari të groposur, brenda të cilit gjendeshin të gjitha ato me të cilat, në fëmijërinë tonë, ishim mësuar: lugët dhe pjatat e argjendta, tavolina e filigranta, filxhanët e pjatat, i gjithë servisi princëror, edhe kutitë, dhe llulla e qelibarit e mademi e tim eti.
Në fund të tinarit, mbështjellë me kujdes në shtroca dhe lëkurë të ndryshme, libra dhe regjistra. Unaza dhe kuti të vjetra. I nxorëm të gjitha me kujdes, dhe vëllai i madh i rreshtoi në trollin e odës së miqve, në kullë. Pastaj u ulëm të gjithë pranë zjarrit; nëna na tregoi se babai, disa ditë para se t’i groposte, i kishte mbledhur me kujdes dhe kishte thënë se i ka shitur të gjitha.
“Janë kohë të liga,” tha nëna, “kështu që ju do të bëni ç’të mundeni me to.” “Shitini e rregullohuni, që të mund të jetoni, ose t’ua ndihmoni jetesën fëmijëve tuaj.” Nuk foli asnjëri, dhe për disa çaste u bë qetësi. “Zgjidh çfarë të duash që ta kesh kujtim nga baba,” më tha vëllai i madh, që i kishte hapur me kujdes të gjitha ato orendi të argjendta e të arta.
Unë u shtanga; të gjitha vështrimet u ndalën tek unë, që duket se e kisha humbur fare. “Po pse unë?” pyeta i habitur. “Ne të tre ishim djem të të njëjtit baba, dhe ato i përkasin secilit prej nesh.” “Zgjidh,” thanë me një zë nëna dhe vëllai i dytë, “zgjidh një kujtim.” E zgjata dorën që më dridhej dhe e ndala mbi një kuti të vogël argjendi. E mora ndër duar.
Ata më vështruan të gjithë; duket se kishin pritur të zgjidhja diçka të shtrenjtë e shumë më të çmuar. “Është jotja,” më thanë të gjithë me një zë. “Zëre se baba po të uron mbarimin e fakultetit,” tha vëllai i madh. “Zgjidh diçka tjetër,” tha vëllai i dytë, “ndoshta diçka më të madhe.” Unë heshta, nuk fola asnjë fjalë. “Është tamam e tyt eti,” tha nëna.
Pastaj i ndamë në tri pjesë, pasi nëna kishte marrë gjithë stolitë e nusërisë së saj. U desh t’i shisnim, të shtrënguar nga nevoja, dhe të bëheshim me shtëpi të re, secili prej nesh, në një qytet. Secili kishte shtëpinë e vet, lënë nën rrënjët e arrës nga ati ynë. Unë gjithnjë kthehem atje, te kulla e vjetër, dhe në mes të arave vazhdimisht mbjell arra të reja.
Gjithnjë pyes veten: “Vallë, pse arrat që mbjell thahen gjithnjë e nuk zënë?” Mendohem dhe mundohem të gjej shkakun. Kudo tjetër që mbjell një arrë, merr jetë një pemë e re; vetëm aty, te gropa, në mes të arës, kurrë nuk ka zënë rrënjë asnjë arrë. Nuk e di përse. Ndoshta në atë vend do sërish një amanet, që të flejë për vite nën dhe.
Po unë ç’jam para tim eti, ç’amanet mund të lë, kush ma ruan amanetin kaq vite sa e ruajti nëna ime…
