Një 24-vjeçar shqiptar, i identifikuar me inicialet N. Dalipaj, ka humbur jetën pasi u godit disa herë me thikë mbrëmjen e së dielës në Vescovato, në provincën e Cremonës, Itali. I riu u dërgua me urgjencë në spital në gjendje të rëndë, por nuk arriti t’u mbijetojë plagëve të marra. Për rastin është ndaluar 32-vjeçari Mattia Miraglia, banues në Vescovato.
Edhe ai ka mbetur i plagosur dhe po trajtohet në spitalin Maggiore, nën mbikëqyrjen e autoriteteve, shkruan Ora News. Sipas hetimeve paraprake, konflikti dyshohet se nisi për motive sentimentale, të lidhura me xhelozinë për një vajzë. Fillimisht, mes viktimës dhe të dyshuarit pati një debat në një lokal, i cili përfundoi pa përshkallëzim.
Më vonë, 24-vjeçari, i shoqëruar nga vëllezërit e tij, shkoi pranë banesës së 32-vjeçarit. Sipas rindërtimit fillestar të ngjarjes, i dyshuari zbriti i armatosur me thikë, plagosi njërin nga vëllezërit e viktimës në bark dhe më pas goditi disa herë N. Dalipajn në zonën e qafës. Plagët e marra rezultuan fatale për të riun shqiptar.
Karabinierët po vazhdojnë hetimet për të sqaruar dinamikën e plotë të ngjarjes dhe përgjegjësitë penale. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
