Një aksion i përbashkët i Policisë dhe Njësisë së Antidrogës në kuadër të planit operativ “Vera 2026” ka çuar në arrestimin e një 25-vjeçari, pasi gjatë kontrollit iu gjet një armë zjarri e mbajtur pa autorizim. Sinjali mëson se i dyshuari është Eliot Krasniqi , 25 vjeçar.
Sipas burimeve, ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e 2 gushtit, rreth orës , në kthesën e Rapqes, në rrugën Prizren–Dragash, ku patrulla policore dhe Njësia e Antidrogës kishin ngritur pikë kontrolli në kuadër të planit operativ “Vera 2026”.
Gjatë kontrollit të një veture Opel Meriva me ngjyrë kaltër metalike, zyrtarët policorë kanë kontrolluar pasagjerin, Eliot Krasniqin, të cilit në brez i është gjetur një pistoletë e tipit TT, së bashku me një karikator të mbushur me tetë fishekë.
Pas sekuestrimit të armës, i dyshuari është arrestuar, ndërsa automjeti dhe personat e tjerë që ndodheshin në të janë shoqëruar në Stacionin Policor në Dragash, ku është kryer edhe një kontroll shtesë i veturës.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, pasagjerët e tjerë janë intervistuar dhe më pas janë liruar, ndërsa ndaj Eliot Krasniqit është iniciuar procedurë për veprën penale “Armëmbajtje pa leje”. Me vendim të Prokurorit, 25-vjeçari është ndaluar për 48 orë, ndërsa arma me municion është sekuestruar në cilësinë e provës materiale. Hetimet për rastin janë në vazhdim.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
