Ky rrëfim brilant për përpjekjet e gardës së vjetër për të rimarrë kontrollin e mbërthen në mënyrë të shkëlqyer absurditetin e gjithë kësaj ngjarjeje.
Nga: John Simpson / The Guardian (titulli: The August Coup by Robert Service review – the drink-soaked collapse of the Soviet Union ) Përkthimi: Telegrafi.com Sundimi marksist-leninist në Rusi zgjati 74 vjet dhe, në gusht të vitit 1991, praktikisht u shemb brenda vetëm tri ditësh: një dëshmi e qartë se sa bosh ishte bërë.
Në periudhën që pasoi, Rusia provoi demokracinë parlamentare dhe kapitalizmin e pastër, pastaj u rikthye në autokraci. Tani ajo po përballet me pasojat e një lufte krejtësisht të panevojshme kundër fqinjit dhe zotërimit të saj të dikurshëm, Ukrainës. Pse sistemi i Leninit, Stalinit, Hrushovit dhe Brezhnjevit u zhduk kaq shpejt pa luftë?
Sepse kështu bien regjimet në Rusi: mjafton të shohësh carizmin në vitin 1917. (Pothuajse ndodhi sërish në qershor 2023, kur njerëzit e komandantit mercenar Jevgenij Prigozhin marshuan drejt Moskës kryesisht pa hasur në ndonjë kundërshtim; Vladimir Putini mund të kishte përfunduar si Nikolla II, po të mos i kishte bërë Prigozhinit disa premtime mjaft të gjera e pastaj, siç pretendohet, ta kishte hedhur në erë dy muaj më vonë.) Mihail Gorbaçovi erdhi në pushtet në vitin 1985 me synimin për ta shpëtuar BRSS-në.
Në vend të kësaj, ai mbikëqyri vdekjen e saj. Ishte një njeri me sharmë, i ndershëm, por jo vizionar, dhe dy ilaçet që i solli pranë shtratit të të sëmurit, Perestrojka (ristrukturimi) dhe Glasnosti (hapja), u treguan krejtësisht të paefektshme.
Grushti i shkurtër i shtetit, kundër tij – në gusht të vitit 1991, i udhëhequr nga Vladimir Krjuçkovi, kreu i KGB-së – ishte reagimi instinktiv i një burokracie që e dinte se gjërat po shkonin keq, por nuk kishte absolutisht asnjë ide se çfarë të bënte.
Ai dështoi shpejt dhe Gorbaçovi u kthye në tryezën e tij të punës – brenda pak ditësh – por, grushti i shtetit e kishte goditur në mënyrë fatale. Katër muaj më vonë, në fund të vitit 1991, ai u nxor nga pushteti nga muzhiku i fortë, brutal dhe i dhënë pas pijes, Boris Jelcini.
Robert Service, autor i The August Coup [ Grushti i shtetit i gushtit ], është historiani më i shquar i Rusisë së shekullit XX dhe i bolshevizmit në botën anglishtfolëse. Biografitë e tij për tre udhëheqësit kryesorë sovjetikë – Leninin, Stalinin dhe Trockin – janë të jashtëzakonshme edhe në atë fushë kaq të ngjeshur.
Duke shkruar për vdekjen e sistemit që këta njerëz të aftë dhe përbindësha ndihmuan të krijohej, Service ka shfaqur një zotërim të jashtëzakonshëm të burimeve të shumta dhe një stil shkrimi mrekullisht të qartë, që i bën të kuptueshme edhe ndërlikimet e burokracisë sovjetike.
Krahasuar me subjektet e tij të mëparshme, historia e grushtit të shtetit kundër Gorbaçovit dhe e shembjes së BRSS-së është relativisht e thjeshtë; megjithatë, Service e udhëheq lexuesin me lehtësi dhe elegancë përmes kaosit të sistemit që po shembej dhe prapaskenave të organizatorëve të grushtit të shtetit.
Pas rënies së Murit të Berlinit në nëntor 1989 dhe humbjes së satrapëve të ndryshëm sovjetikë në Evropën Lindore dhe Qendrore, BRSS-ja po shpërbëhej dhe Gorbaçovi, si president i saj, po humbiste pushtetin dhe ndikimin. Askush nuk e dinte se sa republika sovjetike do të shkëputeshin, ndërsa plani i Gorbaçovit për qeverisjen e asaj që kishte mbetur nga Bashkimi kundërshtohej ashpër.
Jelcini ishte president i Republikës Ruse, pjesës më të madhe, më të pasur dhe më funksionale të ish-BRSS-së. Të dy burrat ishin në përplasje të ashpër. Udhëheqësit e grushtit të shtetit nuk mbështesnin asnjërin prej tyre: ata donin t’i riktheheshin një sistemi që do të rivendoste sa më shumë pushtet sovjetik të ishte e mundur.
Në atë kohë mendohej se KGB-ja e kishte udhëhequr grushtin e shtetit për të mbrojtur interesat e veta, por Service tregon se Krjuçkovi, kreu i KGB-së, ishte shumë më i shqetësuar për shembjen e përgjithshme të sistemit sovjetik. Dhe, sidoqoftë, shumë oficerë të KGB-së refuzuan t’i bashkoheshin grushtit të shtetit. Pata fatin të ndodhesha në Moskë gjatë atyre ditëve të jashtëzakonshme.
Service e kap në mënyrë të shkëlqyer absurditetin e gjithë kësaj ngjarjeje. Udhëheqësit e grushtit të shtetit e humbën pothuajse menjëherë besimin tek ajo që po bënin, ndërsa shumë prej tyre nuk kishin pasur shumë besim që në fillim. Ata grindeshin, tradhtonin njëri-tjetrin ose mbeteshin të paralizuar nga frika ose plogështia.
Shumica e njerëzve të përfshirë lanë ndonjë rrëfim për atë që ndodhi, ndaj burimet që kishte në dispozicion Service ishin veçanërisht të pasura. Ai na jep një përshkrim të gjallë të konferencës fatale për shtyp të cilën organizatorët e grushtit të shtetit dhanë në orën të ditës së parë të grushtit të shtetit.
Presidenti në detyrë, Genadi Janajev, gjoja ishte në krye, por kishte pirë pandërprerë për një ditë të tërë dhe duart i dridheshin. Konferenca për shtyp u transmetua drejtpërdrejt nga televizioni shtetëror, kështu që të gjithë mund ta shihnin gjendjen në të cilën ndodhej. Pas kësaj, dështimi ishte i pashmangshëm.
Megjithatë, arsyeja themelore e dështimit ishte se organizatorët e grushtit të shtetit nuk arritën ta kapnin Jelcinin. Ishte mjaft e lehtë ta mbyllnin në arrest Gorbaçovin në rezidencën e tij madhështore, Zarja – në bregdetin e Krimesë, ku po kalonte pushimet me bashkëshorten e tij, Raisën, dhe vajzën e tyre; por, Jelcini mbeti i lirë dhe kishte në dispozicion selinë e Republikës Ruse në Moskë, të njohur si Shtëpia e Bardhë.
Dikush do të priste që komplotistët komunistë të ishin të zotët në ndërprerjen e komunikimeve dhe marrjen nën kontroll të mediave, por askush nuk e ndaloi Jelcinin të telefononte aleatët dhe miqtë në mbarë Rusinë dhe në mbarë botën.
Po ashtu, askush nuk u përpoq ta pengonte të mbante fjalimin e tij të famshëm mbi një tank përpara Shtëpisë së Bardhë, duke dënuar grushtin e shtetit dhe duke u zotuar se do ta mbështeste demokracinë. Ishte një fjalim i mirë dhe pamjet televizive të tij u panë në mbarë botën. Sërish, askush nuk ua hoqi spinën transmetimeve.
Gazetarët si unë mundëm të transmetonim drejtpërdrejt gjatë gjithë grushtit të shtetit. Jelcini qëndroi brenda Shtëpisë së Bardhë, i mbrojtur kryesisht nga një turmë e vogël demonstruesish të paarmatosur, numri i të cilëve u pakësua ndërsa nata e parë kalonte dhe shiu filloi të binte. Megjithatë, Jelcini vuante nga të njëjtat dobësi si shumë prej organizatorëve të grushtit të shtetit.
Në hollin e Shtëpisë së Bardhë iu luta të më lejonin të ngjitesha në zyrën e tij dhe ta intervistoja, por më thanë se ishte tepër i zënë duke biseduar me udhëheqës botërorë dhe duke organizuar kundërshtimin. Më vonë, ish-ministri i Jashtëm sovjetik, Eduard Shevardnadze, mbërriti për ta takuar.
Kur doli nga ndërtesa një orë më pas, ai njoftoi se Jelcini i kishte thënë se do të mbronte lirinë e Rusisë deri në pikën e fundit të gjakut. Fjalë frymëzuese. Tri vjet më vonë, kujtuam së bashku me Shevardnadzen gjithë atë histori. Ai qeshi. “Kur hyra në zyrën e Jelcinit, ai ishte shtrirë pa ndjenja në dysheme, me disa shishe bosh vodke pranë”.
Po atëherë, ç’ndodhi me luftën deri në pikën e fundit të gjakut? “Si mendon se do të kishte qenë po të kisha dalë dhe t’ju kisha thënë se nuk mund të flisja me Jelcinin sepse ishte bërë tapë”? I tillë ishte kaosi dhe absurditeti që shoqëruan vdekjen e Bashkimit Sovjetik. Në ditët që pasuan, askush nuk e dinte se ku qëndronte autoriteti.
Kameramani i famshëm për guximin dhe shpirtin sipërmarrës, Rory Peck, si dhe unë, hymë në selinë e KGB-së, Lubjanka, dhe xhiruam në vetë zyrën e Krjuçkovit. Pas kësaj, madje xhiruam edhe mes dosjeve ultrasekrete të KGB-së. Të nesërmen, Rory ofroi të blinte për një milion dollarë përmbajtjen e Muzeut Qendror të Revolucionit.
Vetëm fakti që zyrtari përgjegjës nuk mundi të gjente një bankë të gatshme të pranonte aq shumë para në dorë, bëri që marrëveshja të mos realizohej. Ne priremi t’i harrojmë hollësitë e këtij episodi vendimtar. Ndoshta historia e trazuar e Rusisë që nga viti 1991 i ka fshirë ato nga kujtesa jonë.
Tani Service ka vënë në shërbim të rrëfimit të mënyrës absurde se si përfundoi Bashkimi Sovjetik, zotërimin e tij madhështor të historisë sovjetike: jo me një shpërthim, por me tingëllimën e shisheve të vodkës.
