Nga: Fan Noli Përktheu:
Bejtullah Destani Shpërndaje në: Si mitropolit i Kishës Ortodokse Shqiptare në Amerikë dhe ish-kryeministër i Shqipërisë, Fan Noli nuk ishte vetëm një figurë e shquar fetare, burrë shteti dhe poet, por edhe një përkthyes i talentuar. Përkthimet e tij elegante të Shekspirit në shqipen toske janë admiruar shumë dhe vazhdojnë të çmohen në botën shqiptare.
Në këtë shkrim të vitit 1964 – përgatitur nga Bejtullah Destani – Noli na rrëfen takimin e tij të parë me “Bardin” Ishte viti 1897 dhe unë isha pesëmbëdhjetë vjeç kur u njoha për herë të parë me Shekspirin. Ky qe një nga ngjarjet më të mëdha të jetës sime. Në atë kohë studioja në një gjimnaz grek.
Megjithëse isha shqiptar nga prejardhja, më duhej të ndiqja një shkollë greke në Adrianopojë, sepse qeveria turke nuk i lejonte shkollat shqipe. Një mëngjes shkova në mensë për të marrë mëngjesin tim mikroskopik, i cili përbëhej nga një filxhan i vockël kafeje të zezë pa sheqer. Ishin vetëm disa gllënjka dhe asgjë tjetër.
Në tryezën e gjatë ku isha ulur, vura re katër të panjohur, dy burra dhe dy gra, të cilët po hanin po atë lloj mëngjesi. Zonjat binin në sy për kapelat e tyre të stërmëdha, pendët e të cilave pothuajse preknin tavanin. Ata po diskutonin me zë të lartë problemet që lidheshin me vënien në skenë të “Hamletit”, të cilin kishin ndër mend ta shfaqnin në teatrin e qytetit.
E kuptova menjëherë se ishin aktorë dhe aktore të një trupe teatrore greke shëtitëse. Nga biseda e tyre mora vesh se dy aktorët e rinj dinin të lexonin e të shkruanin greqisht, ndërsa dy aktoret e hijshme ishin analfabete. Ato nuk dinin as të nënshkruanin emrat e tyre.
Pas atij mëngjesi të varfër, që përbëhej vetëm nga një filxhan i vogël kafeje turke, të dy djemtë u ngritën për t’u larguar. Para se të iknin, u thanë aktoreve: “Tani, vajza, mësoni rolet tuaja.” Edhe Shtojca për Kulturë 26 qer 2026 Fjalim për njeriun e fjalës Ato u përgjigjën: “Si mund t’i mësojmë?
Ne nuk dimë të lexojmë.” Atëherë aktorët thanë: “Kërkojini atij djalit” – duke më treguar mua – “që t’ju ndihmojë. Ai studion në gjimnaz dhe di të lexojë greqisht.” Aktoret u përgjigjën: “Ne nuk kemi para. Si do ta paguajmë?” Aktorët thanë: “As ne nuk kemi para, por këtë punë mund ta rregullojmë.
Mund t’i japim djalit bileta falas për të gjitha shfaqjet tona.” Pastaj, duke më vështruar, më pyetën: “A do të kënaqeshe me kaq?” E pranova ofertën menjëherë, pa ngurruar aspak. Aktoret më dhanë tekstet e roleve të tyre dhe filluam menjëherë nga puna. Njëra luante Ofelinë, kurse tjetra nënën e Hamletit, mbretëreshën.
Vepronim kështu: unë e lexoja rolin fjali për fjali dhe aktoret e përsëritnin pas meje. Pak kohë më vonë, gjeta një punë të dytë pranë së njëjtës trupë. Sufleri u sëmur dhe nuk kishte njeri që ta zëvendësonte. Shumë pak prej aktorëve dinin të lexonin greqishten katharevusa, një dialekt artificial, pseudoklasik.
Dy aktoret që po stërvitja i thanë drejtorit: “Ne njohim një djalë që mund ta bëjë këtë punë.” Isha përsëri unë dhe, edhe këtë herë, e pranova punën pa asnjë ngurrim. Kjo më dha mundësinë të shërbeja si sufler në “Otellon” e Shekspirit. Mund ta bëja këtë pothuajse pa e parë fare tekstin e përshtatur për skenë.
Brenda pak ditësh isha në gjendje t’i recitoja përmendësh, në greqisht, të gjithë monologët e “Hamletit” dhe të “Otellos”. Një natë ndodhi diçka që më tmerroi. Kostas Tavularisi, i cili luante Otellon, për pak sa nuk e mbyti Desdemonën, duke u përpjekur ta bënte interpretimin sa më realist.
Dëgjova gruan e tij, zonjën Tavularis, e cila luante Desdemonën fatkeqe, të thërriste për ndihmë dhe t’i përgjërohej të shoqit: “Mos më shtrëngo kaq fort! Do të më vrasësh!” Unë dhashë shenjën që të ulej perdja dhe kështu parandalova një vrasje. Pasi mbarova gjimnazin, shkova në Kostandinopojë dhe prej andej mora anijen për në Athinë, ku do të kërkoja punë.
Një nga gjërat e para që bëra në Athinë ishte të shkoja në zyrën e trupës së Tavularisit dhe t’u kërkoja të më punësonin në kompaninë e tyre teatrore. Ata u gëzuan dhe më dhanë menjëherë punë si kopjues rolesh. Mënyra se si i paraqiteshin publikut grek dramat e Shekspirit në vitin 1898 ishte mjaft e çuditshme.
Për shembull, pas aktit të tretë, Hamleti dhe Ofelia dilnin në skenë pa i ndërruar kostumet dhe këndonin ndonjë duet të rëndomtë që ishte në modë në atë kohë, diçka të ngjashme me këngët sentimentale të Frank Sinatrës. Po çfarë ndodhte pas aktit të fundit të Hamletit? Vihej në skenë një komedi moderne, e pavlerë, me një akt.
Drejtori i trupës e shpjegonte kështu: “Publiku nuk mund ta durojë tragjedinë e tmerrshme të “Hamletit” pa pak muzikë të lehtë ndërmjet akteve dhe pa një komedi freskuese në fund.” Në fund të fundit, edhe grekët e lashtë vepronin kështu: pas një tragjedie jepej gjithmonë një komedi e shkurtër. Aktorët nuk merrnin pagë të caktuar.
Ata merrnin një përqindje të fitimeve, por fitimet nuk mjaftonin që të siguronin jetesën. Fundi i çdo sezoni, në secilin qytet, ishte gjithmonë i njëjtë. Shumica e aktorëve mbeteshin të bllokuar në qytetin ku ndodheshin rastësisht. Duhej të prisnin atje pa asnjë para dhe të uritur, derisa ndonjë drejtues tjetër teatri t’u siguronte një punë të re dhe paratë për biletën e udhëtimit.
Unë isha gjithmonë ndër ata që mbeteshin në mes të rrugës. Edhe Shtojca për Kulturë 8 mar 2026 Nga Troja në Moskë Më e keqja nga të gjitha aventurat tona teatrore ishte ajo në Ponto-Iraklia të Anadollit. Të ardhurat nga shfaqja e parë tregonin se e gjithë sipërmarrja do të përfundonte në një dështim të tmerrshëm.
Dy javë më vonë, drejtori i trupës u arratis natën, duke marrë me vete të gjitha të ardhurat. Aktorëve iu desh të kujdeseshin vetë për mbijetesën. Ata jepnin shfaqje në një sallë të zymtë, vetëm sa për të mbetur gjallë. Pikërisht në mes të atij mjerimi, unë realizova ëndrrën më të dashur të çdo aktori.
Si aktori që luante Hamletin, ashtu edhe aktorja që luante Ofelinë, dergjeshin të sëmurë në shtrat nga uria dhe rraskapitja. Çështja ishte nëse shfaqja duhej shtyrë apo duhej të vazhdonim me të, për të fituar disa qindarka me të cilat mund të blinim ushqim dhe të qëndronim gjallë edhe për pak kohë. Më pyetën nëse mund ta zëvendësoja aktorin kryesor dhe të luaja Hamletin.
E pranova ofertën përpara se të kishin kohë të ndryshonin mendje. Në fund të fundit, rolin e njihja më mirë se çdo aktor kryesor të cilit i kisha shërbyer si sufler. Vështirësia lindi kur u përpoqëm të gjenim dikë që të luante Ofelinë. Kishte mbetur vetëm një njeri që ishte ende në këmbë. Quhej Kaliroe.
Ishte e çalë dhe, gjatë gjithë jetës së saj, nuk kishte dalë kurrë përpara dritave të skenës, madje as në ndonjë rol të parëndësishëm. Ajo shërbente si kujdestare dhe shërbëtore e së motrës, e cila ishte aktorja kryesore e trupës. Askush nuk e kishte përfytyruar se kjo krijesë e gjorë mund të kishte ushqyer ndonjëherë ambicien për të luajtur Ofelinë. Por ndodhi e papritura.
Kur vajzës së çalë iu ofrua roli i Ofelisë, ajo mezi u besoi veshëve. Na rrëfeu se, gjatë gjithë jetës së saj, ishte përgatitur fshehurazi për ta luajtur atë rol. Kështu, tragjedia “Hamleti” u shfaq qysh mbrëmjen tjetër, në këtë mënyrë të improvizuar, dhe pati një sukses të jashtëzakonshëm. Askush nga publiku nuk dyshoi se Ofelia ishte e çalë.
E ulëm në një karrige dhe ajo e luajti të gjithë rolin ulur. Unë, në rolin e Hamletit, bëra çmos që publiku të mos vinte re se diçka nuk shkonte me Ofelinë. Meqenëse Hamleti supozohet të jetë gjysmë i çmendur, bëja lloj-lloj piruetesh rreth karriges, për ta theksuar këtë tipar. Nga Ofelia pritej që t’i ndiqte lëvizjet e mia me sy, e habitur pa masë.
Vite më vonë, Kaliroen e çalë ma kujtoi aktorja e moshuar Sarah Bernhardt, kur e pashë të jepte një interpretim të mrekullueshëm vetëm me zërin, fytyrën dhe krahët e saj, ndonëse mezi qëndronte në këmbë. Rreth dy javë më vonë, një anije mallrash që transportonte eshtra për prodhimin e plehrave kimike u detyrua nga stuhia të strehohej në portin e Ponto-Iraklias.
Kapiteni i saj zemërmirë u prek nga mjerimi i atyre aktorëve shekspirianë, disa prej të cilëve ishin katandisur kockë e lëkurë. Ai u ofroi ushqim dhe udhëtim falas për rrugën dyditore deri në Kostandinopojë. Shumica ishin aq të dobët, saqë gjatë udhëtimit iu desh të qëndronin shtrirë, derisa marinarët e mirë i sollën përsëri në vete duke i ushqyer.
Pikërisht këtë kishin nevojë për t’u shëruar e për t’u ngritur sërish në këmbë. Katastrofa përfundimtare ndodhi në Aleksandri: mbetëm përsëri pa rrugëdalje dhe përsëri po vdisnim nga uria. Aktorët dhe aktoret e tmerruar u nisën njëri pas tjetrit për në Athinë, me anijen e parë që mundën të gjenin. Unë arrita në përfundimin se këtu merrte fund karriera ime teatrore.
Nuk kishte kuptim t’i përmbahesha një profesioni që më shpinte nga njëri skaj i Mesdheut në tjetrin, ndërsa uria më kërcënonte në çdo port. Kështu, u ndava nga teatri, por jo nga Shekspiri. Shpëtimi më erdhi nëpërmjet ofertës për një vend mësuesi në Shibin-el-Kom, disa orë larg Aleksandrisë. E pranova menjëherë këtë mundësi dhe mora trenin e parë për në Shibin-el-Kom.
Deri atëherë e kisha lexuar Shekspirin në një përkthim grek pa vlerë. Kishte ardhur koha ta lexoja në gjuhën e tij. Gjeta një misionar anglez, i cili më dha falas mësime të anglishtes. Atij ia detyroj faktin se, kur mbërrita në Shtetet e Bashkuara më 1906, munda ta kaloja brenda pak minutash provimin gjuhësor përpara zyrtarëve të emigracionit.
Zbrita në Nju-Jork dhe shkova në Bufalo, pastaj nga Bufaloja në Boston. Atje e takova përsëri mikun tim të vjetër, Shekspirin, në teatrin Castle Square, të paraqitur nga dy interpretues të shkëlqyer: E. H. Sothern dhe bashkëshortja e tij, Julia Marlowe. Do t’u jem përherë mirënjohës atyre dy artistëve të mëdhenj.
Deri atëherë Shekspirin e kisha lexuar në greqisht dhe e kisha parë të interpretohej në skenën greke, por Sotherni dhe Marlowe më dhanë përvojën e paharrueshme të të parit të Shekspirit në skenë, në gjuhën angleze. Vitet e para në Amerikë ia kushtova arsimimit tim.
Pastaj, një ditë, një miku im, i ndjeri Faik Konica, i cili kishte marrë gradën master në Harvard, më propozoi që t’i ndanim ndërmjet nesh të gjitha dramat e Shekspirit dhe t’i përkthenim në shqip. Ai vuri vetëm një kusht: “Romeo dhe Zhulieta” duhej t’i përkiste atij. E pranova menjëherë, me kushtin që “Hamleti” të më përkiste mua. Kështu, të dy nisëm nga puna.
Unë fillova me “Otellon”, i cili u botua në shqip më 1916. Dhjetë vjet më vonë, përkthimet e mia të “Hamletit”, “Jul Cezarit” dhe “Makbethit” u botuan në Belgjikë. Kur i lexoj tani versionet e mia shqipe, mendoj se “Makbethi” ishte përkthimi im më i mirë, sepse ishte i fundit dhe, deri atëherë, kisha arritur ta mësoja disi më mirë mjeshtërinë e vështirë të përkthimit.
Më vjen mirë të them se disa nga shqiptarët tanë të rinj po e vazhdojnë punën e përkthimit të Shekspirit. Sa më përket mua, për shkak të trysnive dhe rrethanave të ndryshme, njëra prej të cilave ishte Lufta e Dytë Botërore, e kam braktisur mikun tim të vjetër Shekspirin gjatë tridhjetë e tetë vjetëve të fundit.
Shpresoj të kthehem tek ai dhe ta shlyej këtë borxh, duke u dhënë shqiptarëve disa të tjera nga kryeveprat e tij. Mund ta bëj. Jam ende i ri. Jam vetëm tetëdhjetë e dy vjeç. Edhe Shtojca për Kulturë 26 pri 2026 Kolosi i kombit “Shekspiri dhe unë”, botuar në revistën “The Listener”, më . Nga gjuha angleze: Enik Pogaçe
