Rama po lë gjurmë në epokën e tij. Kosova po paraqet pengesa, pa menduar për të ardhmen e saj. Pra, po ballafaqohemi me dy epoka tërësisht të kundërta shqiptare, në një kohë të njëjtë. Kosova dhëmb për dhëmb, ballë për ballë në luftë me Serbinë, si në aspektin luftarak ashtu edhe diplomatik, kurse Rama po tregon se edhe me modernitet arrihet të ndërtohen ura edhe aty ku mungojnë.
Bashkëpunimi dhe vëllazërimi ishte motoja e Ramës, jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për Ballkanin dhe rajonin në tërësi.
Këtë e dëshmoi me iniciativa të përbashkëta me Vuçiqin mbi “Open Ballkanin”, me hartimin e statutit për veriun e Kosovës, me angazhimin që Serbia të mos preket nga sanksionet e bashkësisë ndërkombëtare, me iniciativën e përbashkët për pranim në BE të Shqipërisë e Serbisë, me parashtrimin e kritikave të ashpra nga Rama ndaj Prishtinës për trajtimin ndaj Serbisë, e shumë çështje të tjera që lidhen me marrëdhëniet shqiptaro-serbe.
Besnikërinë, miqësinë dhe vëllazërinë e filluar ndaj Serbisë, Rama po e dëshmon edhe këto ditë, pasi mori vendim për hapjen e konsullatës serbe në Shkodër. Nuk ka rëndësi fare nëse jeton komunitet serb apo jo në Shkodër, pasi ky vendim është një gjest i mirë i fqinjësisë vëllazërore mes dy vendeve tona, deklaroi Rama.
Kjo traditë e vëllazërimit kishte filluar me prijësin e marksizëm-leninizmit, Enver Hoxhën, kurse Rama vetëm po e vazhdon misionin si pasardhës. Kosova nuk mund të na i diktojë marrëdhëniet tona me Serbinë, pohoi Rama i tronditur ndaj kritikave që po i bëhen me këtë rast. Kosova e ka zgjedhur rrugën e saj të izolimit, kurse Shqipëria do të ecë rrugës së integrimit.
Unë bëra përpjekje aq sa munda që Kosova ta ndiqte shembullin e politikës sonë, por ishte e kotë. Ne nuk mund të mbesim peng të papërgjegjësisë së një politike nacionaliste. Ne duhet të ecim përpara. Pengesë momentale i kemi sorrat e korbat, por edhe kjo do të kalojë.
Unë kam një mision të cilin do ta çoj në vend, pa marrë parasysh protestat e organizuara nga elementet armiqësore nga brenda dhe jashtë. Investimet strategjike, reforma territoriale, bashkimi në BE, qasje shëndetësore falas për gjithë popullin, zhvillimi ekonomik, programi social, rritja e buxhetit, reformimi pensional etj., janë prioritetet që synoj t’i arrij.
Në kuadër të synimeve të mia, pra, hynte edhe hapja e konsullatës serbe në Shkodër. Kjo iniciativë dua të mbetet si shembull i vëllazërimit të popujve tanë. Më me dëshirë këtë konsullatë do ta kisha hapur në Surrel apo Vlorë, por serbët këmbëngulnin vetëm në Shkodër. Nuk i kuptoja, por nuk ua prisha dëshirën.
Një ditë unë do të tërhiqem nga politika, por do të hyj në analet historike (që ia kalova edhe Enver Hoxhës), se isha ai që hapa konsullatën shqiptare në Bujanoc dhe atë serbe në Shkodër. Ky është arsyetimi im për të gjithë ata që sot po protestojnë e vajtojnë për vendimin tim.
Kjo gjë ka përfunduar, por po e përsëris atë që shumë herë e kam thënë: Qentë lehin, por karvani do të ecë përpara. Mars Rover – Satirë
