Jessie J është rikthyer në skenë me një performancë plot energji në festivalin Brighton Pride, vetëm pak ditë pasi konfirmoi ndarjen nga partneri i saj prej pesë vitesh, Chanan Safir Colman. Këngëtarja 38-vjeçare u shfaq me një veshje të zezë me dantellë, të kombinuar me një bluzë transparente bardhezi dhe aksesorë të mëdhenj ngjyrë ari.
Ajo interpretoi hitet e saj para publikut në Preston Park, duke dhuruar një performancë dinamike dhe pa lënë të kuptohej se po kalonte një periudhë të vështirë në jetën personale, shkruan DailyMail. Pak ditë më parë, Jessie J njoftoi përmes Instagramit se ajo dhe Chanan Safir Colman i kishin dhënë fund lidhjes së tyre romantike “disa kohë më parë”.
Artistja theksoi se vendimi ishte i vështirë, por se të dy janë të përkushtuar të ruajnë një marrëdhënie të mirë si prindër të djalit të tyre, Sky. Ajo shtoi se zgjodhi ta bënte publik lajmin për të shmangur spekulimet, duke nënvizuar se ajo dhe ish-partneri do të vazhdojnë ta mbështesin njëri-tjetrin me respekt dhe miqësi, ndërsa do të bashkëpunojnë për rritjen e djalit të tyre.
