Një aheng familjar në fshatin Milloshevë u ndërpre nga Policia, pasi raportimet për të shtëna me armë zjarri çuan në arrestimin e dy personave dhe sekuestrimin e armëve e municionit. Sinjali mëson se të dyshuarit janë Arif Jashari rreth 23-vjeçar dhe Anis Menxhiqi rreth 20-vjeçar.
Sipas burimeve, ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e 1 gushtit, rreth orës , në rrugën “Dorentina Kastrioti” në Milloshevë, ku Policia mori njoftim për të shtëna me armë gjatë një dasme.
Njësitë relevante policore kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes dhe kanë kontaktuar organizatorin e ahengut, i cili ka deklaruar se djali i tij dhe një familjar tjetër kishin shtënë me armë zjarri gjatë festës.
Gjatë veprimeve hetimore, Policia ka sekuestruar dy pistoleta me gaz të tipit “Zoraki”, 104 fishekë të kalibrit 9 mm, dy gëzhoja, si dhe një pajisje optike (laser), të cilat janë marrë në cilësinë e provave materiale. Dy të dyshuarit janë shoqëruar në Stacionin Policor në Obiliq, ku janë intervistuar në prani të avokatëve mbrojtës.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, ndaj tyre është iniciuar procedurë për veprat penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” dhe “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”, ndërsa të dy janë ndaluar për 48 orë. Rasti është duke u hetuar.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
