Arlinda Gashi Jakupi dhe Faik Hyseni janë dy personazhet e radhës që kanë rrëfyer historitë e tyre në Kallxo Përnime për dëbimin nga shtëpitë e tyre nga forcat serbe, gjatë kohës së luftës së fundit në Kosovë. Sikurse qindra mijëra qytetarë, edhe Arlinda dhe Faiku nuk e kanë harruar për asnjë moment përjetimet e asaj kohe, duke rrëfyer në detaje për kohën më të vështirë të jetës së tyre.
Vajza e Arlindës, Alba, në marsin e vitit 1999 ishte një foshnje vetëm 9 muajshe. Nëna e saj, Arlinda në atë periudhë të vështirë kishte vendosur që t’i dedikonte një ditar, që kur të rritej, të kuptonte në detaje për represionin e shtetit serb ndaj popullsisë së pafajshme shqiptare. Arlinda rrëfen se në atë ditar kishte arritur që të shkruante vetëm për tre ditë.
Më pas nuk kishte arritur që ta vazhdonte, për shkak të gjendjes emicionale. “Ditarin kam filluar me shkrujtë fillimisht me datën 24. Do të thotë, që në mëngjesin e ditës së nesërme pas bombardimeve të NATO-s edhe kam arritur vetëm tre ditë me mbajtë, domethënë 24, 25, 26 mars. Më tutje nuk kam qenë në gjendje emocionale si duket dhe nuk e di pse nuk e kam vazhduar” – tregon Arlinda.
Ajo rrëfen se në atë periudhë të marsit ’99 pas bombardimeve të NATO-s, familja dhe fqinjët e saj në Prishtinë kanë qenë në presion të madh, pa shumë ushqim dhe me kushte të rënda. Në atë gjendje, sipas saj, kishin qëndruar deri më , e kur më pas kishin marrë urdhër që të largoheshin nga shtëpia e tyre.
“Domethënë, më 6 maj të vitit 1999 kemi marrë domethënë dëbimin e fundit që ka qenë në atë kohë prej qytetarëve të Prishtinës dhe jemi bashkangjitur një udhëtimi me tren. Do të thotë ka qenë diku në mëngjesin e datës 6 maj, ora , kur kam qenë në stacionin e trenit këtu në Fushë-Kosovë edhe me një numër të madh të të dëbuarve, kam nisur rrugën për në Maqedoni” – rrëfen Arlinda.
“Treni ka qenë i përmbushur. Do të thotë vagonat kanë qenë të stërngarkuar me njerëz të moshuar, të cilët mezi kanë qëndruar, me foshnje të cilat vazhdimisht kanë qajtur, me të rinj të cilët janë munduar në njëfarë mënyre me qëndruar se e kanë ditur se duhet të jetë një moment që duhet të qëndrojnë të fortë edhe për të tjerët, edhe për vendin e vet, sado që ata veç na dëbuan prej shtëpisë tonë”.
Sipas Arlindës, udhëtimi ka zgjatur rreth dy deri në tre orë, e më pas kanë arritur në Han të Elezit ku aty kanë kuptuar se nuk lejohet kalimi për në Maqedoni. “Kemi qëndruar edhe pak kohë ashtu në tren, pastaj është nisur kthimi ynë deri në stacionin hekurudhor këtu prapë në Fushë-Kosovë. Në tren kam pasur, në vagonin tim kam pasur kryesisht familjarë.
Kam pasur vëllezërit e mi edhe familjarët e tjerë. Meqenëse me faktin që nuk na lejuan me hy, kanë filluar pak a shumë diskutimet mes qytetarëve dhe është folur se diçka ka me ndodhur me neve se nuk është diçka në rregull.
Përderisa të tjerët, të gjithë qytetarët ditë më herët edhe deri në atë kohë, të gjithë të dëbuarit ju është mundësuar lejimi… lejimi po them se ajo është veç dëbim, po kalimi në një shtet tjetër, për neve pse jo atëherë? Menjëherë ka filluar diskutimi se diçka nuk është në rregull”. Arlinda ka qenë dëshmitare edhe e një rasti shumë të rëndësishëm për historinë e Kosovës.
Sipas rrëfimit të saj, ajo ka qenë dëshmitare kur forcat serbe e kanë rrëmbyer profesorin Fehmi Agani, i cili më pas ishte zhdukur dhe vrarë. Ajo tregon se si kishte dëgjuar një ushtar duke thënë se “Lëreni këta, se kemi një person që është i më i vlefshëm se gjithë këta të tjerët”. “Domethënë ishte fjala për personat e tjerë që kishin vendosur pranë nesh në pushkatim.
Edhe atëherë e kam kuptuar se me të vërtetë ajo biseda që është qarkulluar në tren se dikush është në mesin tonë, mundet me qenë një person shumë i rëndësishëm i kombit tonë. Tinëz e kam kthyer kokën prapa edhe e kam njohur, e kam pa që në mesin tonë kishte qenë profesori Fehmi Agani” – rrëfen Arlinda.
“E kam pasur shumë larg se turma ka qenë shumë e madhe dhe unë kam qenë në rreshtin e parë. Po e kam njohur edhe e kam kuptuar se me të vërtetë është profesori aty. Ajo ka ndodhur shumë shpejt kur e kanë marrë, e kanë larguar prej turmës edhe në një veturë, ka qenë e kuqe – nuk e di çfarë marke – e kanë shtyrë me dhunë katër policë, ashtu diçka, edhe menjëherë e kanë larguar”.
Rrëfimi i Faik Hysenit Faik Hyseni, dikur punëtor i Radiotelevizionit të Prishtinës (RTP), kujton momentet e dëbimit nga lagjia ku jetonte familja e tij, në “Taukbahçe” të Prishtinës. Ai thotë se në marsin e ’99-ës ishin të vendosur te shtëpia e motrës së tij, ku në shtëpi kanë qenë të paktën 40 anëtarë të familjes së tij.
Më pas, sipas tij, kishin marrë urdhër nga disa policë që të largohen nga shtëpia. “Edhe në rrugë kur kemi dalë, në çdo udhëkryq apo në pika kyçe të rrugëve kishte patrulla, kishte kontrolle të pushtetit. Ishin paramilitarë, ishin policë, ushtarë. Aty filluan problemet, represionet, maltretimet, dhunimet filluan aty.
Qysh në 200 metrat e para, na ndalën një grup paramilitarësh, na kërkuan të holla. Çka patëm i dhamë edhe pastaj na liruan edhe vazhduam për stacion të trenit”- rrëfen Faiku. “Filluam nëpër… turma shëtit nga pika në pikë. Te shkolla teknike është një udhëkryq në Prishtinë, rruga që shkon për Gërmi dhe ishte vendosur një pikë e madhe e forcave serbe.
Aty ne ishim në kolonë, ishim familja jonë. Më kujtohet unë isha i fundit se e presia këtë më të vjetrit me i ndihmu. Më ndalën mua faktikisht edhe më dhanë “Ti eja me neve””. Kështu Faiku ndahet nga familja e tij dhe atë e fusin në një rrugicë dhe sipas tij, fillojnë ta kërcënojnë dhe malltretojnë. “Ata filluan me ofendu së pari. Thanë që “Për juve këtu vend nuk ka në Kosovë.
Kosova nuk është e juaja. Kemi me ju shkatërru të gjithëve. S’keni me u kthy këtu asnjëherë. Harroje këtë vend. Nxjerr të gjitha që i ke gjësendet me vlerë, të gjitha çka patëm” – tregon ai. “Filluan me më kontrollu, nxorrën armën, më kërcënuan që do të më vritnin. Kështu që më në fund me disa shpëtova nga ata”.
Por pas rreth 200 metrave, Faiku tregon se bashkë me disa persona të tjerë ishte gjendur para një pike tjetër të forcave serbe. Edhe aty, sipas Faikut, ka pasur malltretime dhe dhunë fizike. “Kështu që mbërritëm tjetri te rrethi i Arbërisë ose Dragodanit në atë kohë. Unë e mora një fëmijë në krahë, duke mendu që nuk do të më ndalin në shkak të fëmijës, se kanë pak respekt, mëshirë.
Mua më tha: “Lësho atë fëmijë edhe eja këtu”” – tregon Faiku. “Po na nuk e ditëm për çka po thërrasin, për shembull e kisha përjetuar edhe ato maltretimet edhe filluan me maltretimet prapë. Lëshova fëmijën, shkova, nxora atë çka kisha krejt me vlerë. Nuk kisha se të gjitha na i morën më herët”.
Më në fund Faiku kishte arritur në stacionin e trenit, ku sipas tij, kanë qenë mijëra njerëz duke pritur, e që nga aty më pas i kanë nisur për në Maqedoni. Këto dy rrëfime janë pjesë e muzeut “Eksodi ‘99”, që gjendet në afërsi të Stacionit të Trenit në Prishtinë.
I vendosur në një vagon treni për transport mallrash, Muzeu “Eksodi ‘99” i hapur më prezanton 48 rrëfime të atyre që me dhunë u dëbuan më 1999 për në Maqedoninë e Veriut, të rrëfyera 27 vjet më vonë. Muzeu kujton përjetimet e qindra mijëra qytetarëve të cilët mes marsit dhe qershorit 1999 u dëbuan me forcë përmes linjës hekurudhore Prishtinë – Han i Elezit.
Muzeu “Eksodi ‘99” është i hapur prej orës deri në ora te Stacioni i Trenave në Prishtinë, te vendi që njihet si “Te zalli”.
