Hetimet për plagosjen me armë zjarri që ndodhi në Skenderaj kanë hyrë në një fazë të re, pasi gjatë bastisjes në shtëpinë e të dyshuarit është gjetur dhe sekuestruar një armë zjarri, ndërsa vetë i dyshuari vazhdon të jetë në arrati. Sinjali mëson se i dyshuari kryesor është Rinor Kuliqi 19 vjeçar, ndërsa gjatë aksionit policor është intervistuar edhe vëllai i tij i mitur, A. K, 15 vjeçar.
Rasti lidhet me plagosjen e Liridon Zekajt , 25 vjeçar, e ndodhur mbrëmjen e 31 korrikut në rrugën “Fatmir Dibra” në Skenderaj. Sipas burimeve, viktima ishte qëlluar me armë zjarri në shputën e këmbës së majtë. Ai fillimisht mori trajtim në QKMF-në e Skenderajt dhe më pas në Spitalin Rajonal të Mitrovicës, nga ku u lirua pas trajtimit mjekësor.
Në vendin e ngjarjes, hetuesit kishin sekuestruar tre gëzhoja, ndërsa pas intervistimit të viktimës ishte identifikuar i dyshuari kryesor, ndaj të cilit u iniciua rasti për veprën penale “Tentim vrasjeje”.
Në vazhdën e hetimeve, më 1 gusht, rreth orës , Njësia e Hetimeve Rajonale, në bashkëpunim me Policinë e Skenderajt, realizoi një bastisje në fshatin Abri e Poshtme, në shtëpinë e të dyshuarit. Megjithatë, Rinor Kuliqi nuk u gjet në shtëpi. Gjatë kontrollit, policia ndaloi dhe kontrolloi vëllain e tij të mitur, A.
Kuliqin, te i cili në brez u gjet një armë zjarri, për të cilën dyshohet se mund të jetë përdorur në rastin e plagosjes. Arma është sekuestruar në cilësinë e provës materiale. I mituri është intervistuar në prani të prindit dhe avokatit mbrojtës, ndërsa me urdhër të Prokurorit të Shtetit është liruar në procedurë të rregullt.
Ndërkohë, Rinor Kuliqi vazhdon të kërkohet nga Policia, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit janë në vazhdim. Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
