Prishtina e fortë, kryeqyteti vlonte nga dashamirët e futbollit, nga ana tjetër kapiteni Ramadani Cimili me bashkëlojtarë dolën në fushë. Stadiumi shpërtheu si vullkan më 6 nëntor të vitit 1983, rreth 40 mijë shikues. Hajduku i Splitit me yje ndaj Prishtinës.
Frika e tyre ishte nga sulmuesi Fadil Vokrri, nga Fadil Muriqi, Zoran Batroviq, Edmond Rugova, Skënder Shengyli, Agim Cana, Favzi Rama, Shefqet Sinani, Rifat Mehinoviqi. Ndeshja ashtu si nisi edhe mbaroi me rezultat 0:0, në kuadër të javës së 14-të të Ligës së parë ish jugosllave. Hajduku kryesonte me 18 pikë, një më shumë se RIjeka dhe Prishtina renditej në vend të tretë më 17 sosh.
“Atmosferë vërtetë spektakolare para derbit të sezonit. Nja 40 mijë spektatorë kishin mbushur përplot tribunat e stadiumit të Prishtinës. Në fushë-betejë dolën dy skuadra, e para në tabelën e klasifikimit, Hajduku dhe e katërta, Prishtina, për të ndarë mejdanin. Prishtina – Hajduku 0:0 Stadiumi i qytetit. Spektatorë rreth 40 mijë. Moti me diell, por i ftohtë. Fusha e përshtatshme për lojë.
Referë: Tomislav Ristiq i Nishit (kryesor), Zhivorad Vuksajoviq i Novi-Sadit dhe Predrag Paniqi i Beogradit (anësorë). Me karton të verdhë u ndëshkua Zlatko Vujoviqi. Prishtina: Sllobodan Shuica 7, Skënder Shengyli 8, Shefqet Sinani 7, Ramadan Cimili 7, Rifat Mehinoviqi 7, Favzi Rama 7 , Edmond Rugova 7, Fadil Muriqi 7, Fadil Vokrri 8, Agim Cana 7 dhe Zoran Batroviqi 7.
Hajduku: Simoviq 8, Vuliq 8, Milush 7, Çeliq 8, Drazhiq 7, Rozhiq 7, Zllatko Vujoviq 7, Shushnjara 7, Zoran Vujoviq 7, Shalov 7 dhe Peshiq 8. ‘Të bardhët’ erdhën në kryeqendrën e Kosovës me famë të madhe. Nëntë herë kampionë shtetëror e 5 herë fitues të Kupës së Marshallit Tito.
Janë këto të dhëna, të cilat flasin vetë për vlerën dhe cilësinë e Hajdukut, por të cilët dolën në fushë të hendikepuar pa dy lojtarët më të mirë – Slishkoviqin e Cukrovin. A thua para djelmoshave të Fuat Muzuroviqit, befasia më e madhe në 13 javët e shkuara të elitës së futbollit, do të hidhen në gjunjë (si Partizani, Dinamoja e C.
Zvezda) edhe lojtarët e Hajdukut, anëtari i fundit i ‘katërshit të madh’? A do të mundën me lojë e rezultat vëllezërit Vujoviq, Simoviqi, Peshiqi me shokë?
Ishin këto pyetje të dashamirëve më besnikë të skuadrës së kryeqendrës së Kosovës, të cilët nga të katër anët e Krahinës kishin ardhur për ta përkrahur pa rezervë dhe në mënyrë tejet sportive Prishtinën e tyre në një betejë të madhe”, ka shkruar “Rilindja” me 7 nëntor të vitit 1983.
Ramadan Cimili, kapiten, pas ndeshjes tha se ishin takuar me skuadrën më të fortë deri me tash në kampionat: “Hajduku ishte skuadra më cilësore që luajti deri tash në Prishtinë. Edhe pse në pjesën e parë ishim më të mirë, kur dhe kemi mund të bëjmë diçka më shumë, bindja ime është që duhet të jemi të gjithë të kënaqur me këtë barazim”. Pero Nadoveza, shef i shtabit teknik të Hajdukut.
Nuk i besonte syve për atmosferën në Prishtinë, duke thënë: “Publiku prishtinas ka kaluar edhe publikun tonë, që njihet si më i zëshmi në vend. Kësi interesi kaherë s’kam pasur rastin të shoh. Edhe sjellja e tyre ishte korrekte dhe në këtë pikëpamje mund të them vetëm fjalë të mira.
Ndërkaq, sa i përket lojës, në dinim se Prishtina është skuadër e papërshtatshme në vatër të saj dhe përgatitëm taktikën më të përshtatshme për ta ruajtur rezultatin 0:0. Meqenëse realizuam këtë dëshirë, kuptohet se edhe jemi të kënaqur me këtë epilog”.
