Ekskluzive | Pas seancës në Malishevë iu afrua veturës së Prokurorit

0%

Një veprim që, sipas burimeve të Sinjalit, dyshohet se ishte menduar si një “qerasje” ndaj Prokurorit të Shtetit, ka përfunduar me arrestimin e një 44-vjeçari dhe inicimin e procedurës penale për tentim të dhënies së ryshfetit.

Sinjali mëson se i dyshuari është Bedri Bytyqi, rreth 44-vjeçar, i cili, sipas burimeve, në çështjen për të cilën ishte mbajtur seanca në Gjykatën Themelore – Dega në Malishevë, kishte qenë në cilësinë e palës së dëmtuar.

Sipas burimeve të Sinjalit, menjëherë pas përfundimit të seancës, derisa Prokurori i Shtetit po largohej me veturën zyrtare së bashku me vozitësin, Bedri Bytyqi i ka bërë shenjë automjetit të ndalonte. Pasi vozitësi ka ndalur, ai dyshohet se ka hedhur një kartëmonedhë prej 50 eurosh në veturën zyrtare.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Burimet bëjnë të ditur se vozitësi ia ka kthyer menjëherë paratë, ndërsa Prokurori ka vazhduar rrugën drejt Gjakovës pa i pranuar ato. Rasti më pas është raportuar zyrtarisht në Prokurorinë Themelore në Gjakovë, e cila ka autorizuar Njësinë Rajonale për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit për zhvillimin e veprimeve hetimore.

Pas grumbullimit të provave dhe intervistimit të të dyshuarit në prani të avokatit mbrojtës, Prokurori i Shtetit ka vlerësuar se ekziston dyshimi i bazuar për veprën penale “Dhënia e ryshfetit”, mbetur në tentativë, të paraparë me nenin 422 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Me aktvendim të Prokurorit, Bedri Bytyqi është ndaluar për 48 orë, ndërsa hetimet për rastin janë në vazhdim.

Sipas burimeve të Sinjalit, motivi i veprimit dyshohet të ketë qenë një përpjekje për ta “qerasur” ose falënderuar Prokurorin pas seancës, megjithatë motivi i saktë do të jetë objekt i hetimeve dhe vlerësimit të organeve të drejtësisë. Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

Burimi: sinjali.com