Temperaturat e larta nuk ndikojnë vetëm në energji dhe humor. Kur ato përkojnë me ciklin menstrual, mund të përkeqësojnë disa nga shqetësimet që organizmi përjeton gjatë kësaj periudhe. Sipas ekspertëve, kombinimi i ndryshimeve hormonale me vapën mund të shtojë lodhjen, fryrjen, ngërçet, dhimbjet e kokës dhe ndjenjën e rëndesës, duke i bërë ditët e menstruacioneve më të vështira.
Çfarë ndodh në trup? Në temperatura të larta, organizmi përpiqet të ruajë temperaturën e brendshme përmes djersitjes dhe zgjerimit të enëve të gjakut. Humbja e lëngjeve dhe elektroliteve ndikon në qarkullimin e gjakut, nivelin e energjisë dhe mirëqenien e përgjithshme. Dehidrimi ul sasinë e lëngjeve në trup dhe mund të favorizojë ngërçet muskulore, përfshirë edhe ato të mitrës.
Së bashku me ndryshimet e nivelit të estrogjenit, ai mund të nxisë edhe dhimbjet e kokës dhe migrenën. Për të kompensuar humbjen e lëngjeve, organizmi mund të mbajë më shumë ujë, duke shtuar fryrjen. Gjithashtu, lodhja bëhet më e theksuar, pasi trupi harxhon më shumë energji për t’u ftohur. Disa gra mund të vërejnë edhe gjakderdhje më të bollshme, sidomos gjatë ditëve të para të ciklit.
Çfarë mund të ndihmojë? Hidratimi është një nga masat më të rëndësishme. Uji duhet konsumuar rregullisht gjatë gjithë ditës, ndërsa në rast të djersitjes së shtuar mund të jetë i nevojshëm edhe plotësimi i elektroliteve. Në ushqim rekomandohen produkte të pasura me ujë, hekur dhe magnez.
Ndërkohë, këshillohet të kufizohet konsumimi i ushqimeve shumë të yndyrshme, të rënda ose të kripura, pasi mund të shtojnë fryrjen dhe ndjenjën e parehatisë. Edhe kafeina dhe alkooli duhen konsumuar me masë, pasi mund të favorizojnë dehidrimin. Aktiviteti fizik nuk ka nevojë të ndërpritet, por stërvitjet intensive gjatë vapës mund ta mbingarkojnë organizmin.
Më të përshtatshme janë ecja në mëngjes, joga, ushtrimet e shtrirjes, noti ose vrapimi i lehtë. Ndihmojnë gjithashtu rrobat e gjera dhe të ajrosura prej pambuku ose liri, qëndrimi në ambiente të freskëta dhe shmangia e ekspozimit në diell nga ora deri në . Kush duhet të tregojë më shumë kujdes?
Më të ndjeshme ndaj temperaturave të larta mund të jenë gratë me endometriozë, adenomiozë, anemi ose sindromën e vezoreve policistike (PCOS). Tek ato, vapa mund të shtojë dhimbjen në legen, fryrjen, lodhjen, marramendjen dhe gjakderdhjen menstruale. Nuk duhet të neglizhohen gjakderdhja e papritur dhe shumë e bollshme, dhimbjet e padurueshme, humbja e vetëdijes ose dobësia e theksuar.
Kujdes kërkon edhe sindroma e shokut toksik, një gjendje e rrallë, por serioze, që mund të shfaqet me temperaturë të lartë të papritur, skuqje të lëkurës, rënie të tensionit, marramendje, të përziera ose të vjella, veçanërisht gjatë përdorimit të tamponëve ose kupave menstruale.
Vapa dhe gjendjet e tjera hormonale Gjatë perimenopauzës dhe menopauzës, afshet e të nxehtit dhe djersitjet e natës mund të bëhen më intensive. Në këto raste, rekomandohet qëndrimi në ambiente të freskëta dhe kufizimi i ushqimeve pikante, kafeinës dhe alkoolit. Më të ndjeshme ndaj vapës janë edhe gratë shtatzëna, të cilat mund të përjetojnë më shumë ënjtje, lodhje dhe marramendje.
Ato këshillohen të pushojnë me këmbët e ngritura, të pinë mjaftueshëm ujë dhe të shmangin orët më të nxehta të ditës. Ndërsa te gratë me PCOS, plogështia dhe fryrja mund të zbuten përmes vakteve të rregullta, të pasura me fibra dhe proteina, hidratimit të mirë dhe aktivitetit fizik të moderuar në pjesën më të freskët të ditës. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
