Gjykata e Apelit e ka kthyer në rigjykim çështjen penale ndaj Sërgjan Lazoviqit, i akuzuar për krime lufte, pasi ka anuluar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë që e kishte dënuar atë me 12 vjet e gjysmë burgim. Lazoviq ishte dënuar në shkurt të këtij viti për krime lufte në fshatin Panorc të Malishevës.
Ai akuzohej se, si pjesëtar i xhandarmërisë serbe, kishte kryer keqtrajtim të rreth 500 civilëve me qëllim të dëbimit dhe spastrimit etnik të popullsisë shqiptare. Në njoftimin për media të publikuar të premten, Gjykata e Apelit ka bërë të ditur se ka anuluar aktgjykimin e shkallës së parë, duke vlerësuar se ai përmban shkelje esenciale.
“Gjykata e Apelit ka vlerësuar se gjykata e shkallës së parë, ndonëse gjatë shqyrtimit gjyqësor kishte administruar një numër të konsiderueshëm provash materiale, nuk i ka trajtuar fare ato në arsyetimin e aktgjykimit, nuk ka bërë vlerësimin e tyre, nuk ka dhënë arsye lidhur me vlerën e tyre provuese dhe nuk ka nxjerrë përfundime për rëndësinë e tyre në vërtetimin e gjendjes faktike.
Veçanërisht, nuk ka trajtuar raportin e Agjencisë së Kosovës për Forenzikë dhe dy raportet e ekspertëve të huaj që lidhen drejtpërdrejt me identifikimin e të akuzuarit, duke mos dhënë asnjë arsye nëse gjetjet e tyre janë pranuar apo refuzuar dhe mbi çfarë baze”, thuhet në njoftimin e Apelit. Aktakuza ndaj Lazoviqit ishte ngritur nga Prokuroria Speciale më .
Ai akuzohet për krime lufte gjatë periudhës 1998-1999 në disa fshatra të Komunës së Malishevës. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
