Ministrja në detyrë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli, tha se mbrojtja e mjedisit është standard që duhet respektuar nga secili organizator i ngjarjeve publike!. “Kemi nxjerrë vendim që vendos rregulla të qarta dhe masa të detyrueshme për organizimin e festivaleve, koncerteve dhe çdo aktiviteti tjetër publik, me qëllim mbrojtjen e mjedisit.
Nga tani, çdo organizator do të jetë i obliguar të sigurojë menaxhim të duhur të mbeturinave, pastrim të plotë të hapësirave, respektim të kufijve të zhurmës, mbrojtje të ajrit, ujit dhe natyrës” , ka shkruar Pacolli në “Facebook”. Sipsa saj, për aktivitetet me ndikim më të madh, komunat do të mund të kërkojnë edhe garanci financiare për rehabilitimin e hapësirës.
“Ky vendim shënon një standard të ri të përgjegjësisë mjedisore në Kosovë. Zhvillimi i jetës kulturore dhe argëtuese duhet të ecë krah për krah me mbrojtjen e mjedisit. Do të jemi të pakompromis në zbatimin e këtyre masave, sepse një mjedis i pastër është përgjegjësi e përbashkët dhe detyrim ndaj brezave që vijnë” , tha ajo.
