Shpërndaje në: Një serb nga Kosova është arrestuar nga autoritetet serbe nën dyshimin për “spiunazh”. I arrestuari me inicialet R.T. dyshohet se, “për një periudhë të gjatë kohore, ka qenë në marrëdhënie bashkëpunimi me autoritet e Kosovës, duke mbledhur dhe dërguar të dhëna për aktivitetet e ish-pjesëtarëve dhe pjesëtarëve aktualë të Ushtrisë, policisë dhe strukturave të tjera të sigurisë së Serbisë”, raportojnë mediat serbe.
Sipas autoriteteve serbe, kjo ka sjellë si pasojë arrestimin e disa personave të nacionalitetit serb në Zubin Potok. Tri ditë më parë Prokuroria Speciale e Kosovës njoftoi se janë arrestuar dy serbë nën dyshimin se gjatë luftës, kanë kryer krime ndaj popullatës civile në zonën e Mitrovicës.
Më vonë gjatë ditës, Prokuroria njoftoi se lidhur me këtë rast po kryhen gërmime në një fshat të Zubin Potokut pas dyshimeve për mbetje mortore që mund t’iu përkasin personave të zhdukur në luftën e Kosovës. Njoftimin për arrestimin e R.T, ministri i qeverisë së Kosovës në detyrë Andin Hoti, e ka quajtur tentim-vrasje ndaj të vërtetës.
Ai ka shkruar në Facebook se arrestimi i një personi nën dyshimin se ka ndihmuar në zbulimin e një varreze masive është dëshmia më e qartë se Serbia po e lufton të vërtetën dhe vazhdon t’i fshehë kriminelët dhe krimet e luftës. “Ky nuk është shtet që kërkon drejtësi.
Ky është një aparat shtetëror që vazhdon të mbrojë kriminelët, të frikësojë dëshmitarët dhe të pengojë zbardhjen e fatit të personave të zhdukur. Çdo arrestim i tillë dërgon një mesazh të qartë: kush flet për varrezat masive, ndëshkohet. Kjo nuk është mungesë bashkëpunimi.
Kjo është sabotim i drejtpërdrejtë i procesit për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur dhe shkelje e frymës së Deklaratës për Personat e Zhdukur, të dakorduar në Bruksel”, ka shkruar ai. Hoti ka thënë se mosveprimi i Bashkimit Evropian në këtë aspekt është edhe më i rëndë. Edhe Arbëri 30 gus 2025 Kush po spiunon në Kosovë?
“Nuk mund të flitet për vlera evropiane, pajtim dhe dialog, ndërkohë që tolerohen veprime që frikësojnë dëshmitarët dhe mbrojnë fshehjen e krimeve të luftës. Nëse BE-ja vazhdon ta kalojë këtë me heshtje, atëherë po i jep Serbisë mesazhin se mund të vazhdojë të sillet njësoj, pa asnjë pasojë.
Familjet e mbi 1.570 personave ende të zhdukur kanë nevojë për drejtësi, për të vërtetën dhe për presion real e kushtëzim ndaj Serbisë, jo për deklarata boshe dhe heshtje diplomatike. Heshtja dhe toleranca ndaj kësaj sjelljeje nuk i afrojnë familjet me të vërtetën, i largojnë edhe më shumë prej saj”, ka shkruar ai.
Mediat në Serbi kanë shkruar të premten se ndaj R.T. është caktuar masa e paraburgimit prej një muaji. Të martën, në fshatin Kalludër në komunën e Zubin-Potokut, kanë dalë ekipet e Policisë së Kosovës dhe të Institutit të Mjekësisë Ligjore, dhe janë mbështetur edhe nga ekipe të EULEX-it. Aty është konstatuar se ka trupa njerëzish.
Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, e ka mirëpritur lajmin për konfirmimin e gjetjes së këtij varri masiv dhe ka thënë se ky është një zhvillim i rëndësishëm në përpjekjet për ndriçimin e fatit dhe vendndodhjes së personave të zhdukur me forcë gjatë luftës.
