Të enjten u mbajt Kuvendi i Jashtëzakonshëm i Lidhjes Demokratike të Kosovës, ku kryetari i kësaj partie, Lumir Abdixhiku, mori sërish besimin e delegatëve dhe u rikonfirmua në krye të LDK-së. Vendimi erdhi pas mocionit të ngritur për shkarkimin e tij nga pozita e liderit të partisë.
Lidhur me këtë, analisti politik Gani Qarri ka deklaruar për “Bota sot” se nisma për shkarkimin e Abdixhikut ishte e papritur dhe se përplasjet e brendshme e dëmtuan rëndë LDK-në, pavarësisht votëbesimit të mëhershëm ndaj tij.
Gani Qarri “Nisma e papritur për shkarkimin e Abdixhikut nga kreu i LDK-së erdhi shpejt dhe në mënyrë të habitshme, me shfaqjen e pakënaqësive të shprehura në mënyrë “automatike” dhe përplasjeve të një grupi konspirativ brenda LDK-së me drejtimin e partisë nga z. Abdixhiku. Dhe përkundër faktit se më 31 janar të këtij viti, z.
Abdixhiku kishte fituar votëbesimin e partisë për të vazhduar udhëheqjen e LDK-së, ndërsa edhe rezultati i zgjedhjeve të 7 qershorit ishte më i mirë se ai i 28 dhjetorit, me votimin e 30 korrikut për besueshmërinë ndaj z.
Abdixhiku, LDK pësoi goditjen më të rëndë në krejt periudhën e ekzistencës së saj si parti e fortë, unike, institucionale dhe ish-subjekt i mirënjohur shtetformues”, ka thënë ai. Sipas Qarrit, mbijetimi i mocionit nuk duhet parë si një fitore e plotë, pasi sipas tij, përplasjet e brendshme kanë lënë pasoja në unitetin e partisë. “Kjo për faktin se edhe mbijetimi i votëbesimit nga z.
Abdixhiku nuk mund të konsiderohet fitore, por ndarja faktike e këtij segmenti aspak stabil politik dhe nga sonte qëndrueshmëria e uniteti i saj vihen në pikëpyetje të rrezikshme, ndërsa kryetari aktual kurrë më nuk do ta ketë mbështetjen e krahut disident brenda partisë.
Prandaj, një parti që, për fatin e keq të saj, po përjeton kulmin e krizës së brendshme, nuk besoj se ka fuqi të ofrojë çelësin e tejkalimit të ngërçit të stërzgjatur politik, as nuk mund të posedojë fuqinë e mjaftueshme për ta zgjidhur krizën institucionale, kur dihet mirëfilli se një pjesë e konsideruar e deputetëve të LDK-së, nga sonte nuk do t’u nënshtrohen më kërkesave të kryetarit, i cili tanimë edhe zyrtarisht mbetet udhëheqës i diskutueshëm në krye të partisë.
Nga ky moment, z. Abdixhiku bashkë me zonjën Vjosa Osmani, e cila edhe iu drejtua e para Abdixhikut me një urim të sinqertë për fitoren në votëbesim, duhet të bëjnë çmos që me shumicën e deputetëve besnikë të LDK-së ndaj tij, të koordinohen me kryeministrin Kurti për zgjedhjen e presidentit/es të vendit dhe të garantojnë institucione stabile e qeverisje të qëndrueshme për 4 vitet e ardhshme.
Akt për të cilin do të mbështeteshin nga mbarë opinioni dhe do të mbaheshin mend për të mirë nga populli dhe të gjithë qytetarët e Kosovës, të cilët faktikisht janë lodhur duke shkuar nga zgjedhjet në zgjedhje dhe, përveç shpenzimeve të panevojshme, as zgjedhjet nuk po sjellin zgjidhjen e problemit të presidentit/es.
Me përsëritjen e ngërçeve vetëm sa po e paraqesin Kosovën para botës si shtet jo stabil dhe të paqëndrueshëm politikisht në Ballkanin Perëndimor dhe rajon. Në fakt, është hera e parë që nga mbrëmë edhe unë do të jem pro z.
Abdixhiku, nëse nga ky moment ai vendos të kontribuojë me të gjitha mundësitë që ka, bashkë me ish-presidenten, për krijimin e institucioneve dhe stabilitetin e shtetit të pavarur të Kosovës, e cila i uroi e para kalimin e sprovës që iu vendos Abdixhikut, pothuajse pa asnjë arsye bindëse nga një grup aventurierësh e destruktivësh brenda LDK-së”, ka shtuar ai.
Megjithatë, ai ka paralajmëruar se rikonfirmimi i Abdixhikut mund të mos jetë fundi i përplasjeve brenda LDK-së. “Në anën tjetër, druaj se fitorja e Pirros, të cilën z.
Abdixhiku mbrëmjen e 30 korrikut e “materializoi”, realisht nuk ishte fitore, por fillimi praktik i ndarjes së vërtetë të LDK-së, kur dihet mirëfilli se mbetja në vijim e tij si kryetar partie do t’i thellojë edhe më tepër ndarjet e brendshme dhe do t’i acarojë përçarjet tanimë publike, të cilat flasin më zëshëm se kurrë më parë për kahjen që ka marrë shkapërderdhja e pashmangshme e këtij segmenti të njohur institucional dhe ish-shtetformues në Kosovë.
Duke qenë se z. Abdixhiku u rikonfirmua sërish si kryetar i LDK-së, tani ai, për ta zgjeruar mbështetjen e anëtarëve të partisë dhe për ta fituar besimin e qytetarëve, duhet patjetër t’u përmbahet fort premtimeve të dhëna para opinionit vendor dhe vërtet të kontribuojë me më shumë rigorozitet se kurdoherë më parë.
Ai duhet të bëjë krejt çfarë mundet e di, bashkë me ish-presidenten Vjosa Osmani, për formimin sa më parë të institucioneve shtetërore dhe të mos lejojë të shndërrohet në “mashë” të askujt për ta çuar vendin, për interesa meskine të ndonjë opozitari tjetër, përsëri në zgjedhje të parakohshme.
Pasi formula e tejkalimit të ngërçit tanimë u pa publikisht se nuk janë zgjedhjet, por zgjidhja e presidentit konsensual, krijimi i institucioneve stabile dhe qeverisja e qëndrueshme, për të cilat aktualisht Kosova dhe qytetarët tanë kanë më tepër nevojë se për çdo gjë tjetër!”, ka vlerësuar ai.
Në fund, Qarri ka potencuar se procesi i shkarkimit ndaj Abdixhikut ishte i panevojshëm dhe se Kosova ka nevojë për përfundimin e ngërçit institucional. “Me votimin e mbajtur në kuvendin e jashtëzakonshëm të partisë më 30 korrik, pasi z. Abdixhiku e kaloi me sukses mocionin e ngritur nga një grup kundërshtarësh për shkarkimin e tij nga kreu i LDK-së, menjëherë pas lajmit se z.
Abdixhiku mbetet në krye të LDK-së, ish-presidentja e vendit, zonja Osmani, e cila në zgjedhjet e 7 qershorit ishte bartëse e listës së LDK-së, deklaroi me gëzim: “Jo çdo fitore është e zakonshme. Disa fitore bëhen frymëzim. Kjo është njëra prej tyre!”. Duke pasur parasysh faktin se në janar të këtij viti z.
Abdixhiku u konfirmua për kryetar dhe vetëm brenda pak muajsh do të mbahej edhe procesi i rregullt zgjedhor për zgjedhjen e udhëheqjes së re në parti, mocioni vërtet ishte plotësisht i panevojshëm, erdhi në mënyrë të njëanshme dhe u shfaq në një kohë shumë të ndjeshme për vendin.
Kur dihet mirëfilli se pas disa palë zgjedhjesh, realisht Kosova nuk duhet dhe nuk ka mundësi të humbë edhe më shumë kohë dhe pret me padurim konstituimin e Kuvendit të legjislaturës së 7 qershorit, formimin e Qeverisë së re, zgjedhjen e presidentit dhe zhvillimin normal të ecurive politike të shtetit të Kosovës!” , ka përfunduar Qarri për “Bota sot”.
