Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka deklaruar se bisedimet në Kajro midis ndërmjetësve dhe udhëheqësve të “Hamasit” kanë rezultuar me marrëveshje për çarmatim në faza në Gazë, por një zyrtar i “Hamasit” e ka përshkruar marrëveshjen si draft dhe zyrtarët amerikanë kanë thënë se Izraeli është skeptik se grupi militant palestinez do t’i dorëzonte armët, raporton Reuters .
“Sot, bordi i paqes arriti një marrëveshje historike për çarmatimin e plotë të ‘Hamasit’ dhe të gjitha grupeve të tjera të armatosura në Gazë”, ka shkruar Trump në një postim në rrjetet sociale, duke shtuar se çarmatimi do të kryhet në faza. “Ky është një hap monumental drejt paqes dhe sigurisë së qëndrueshme”.
Marrëveshja ishte hap kritik drejt qeverisjes së Gazës nga një qeveri e re palestineze që do të punojë ngushtë me të ashtuquajturin Bord i Paqes, ka thënë Trump. “Në të njëjtën kohë, Izraeli do të ketë sigurinë që meriton, me Gazën që nuk do të përdoret më si bazë për sulme terroriste”,ka shtuar ai.
Ambasada izraelite në Uashington nuk iu përgjigj menjëherë kërkesës për koment mbi njoftimin e presidentit Trump. Një burim brenda “Hamasit” i ka thënë Reutersit se “draft-marrëveshja” përcakton që armët e rënda do të ruhen dhe mbahen vetëm nën kontrollin e një administrate palestineze, dhe armët nuk mund të transferohen në Izrael.
“Ne nuk do të ndërmarrim asnjë veprim në lidhje me çarmatimin para tërheqjes së Izraelit nga Rripi i Gazës”, ka thënë për “Al-Jazeeran”, Ghazi Hamad, anëtar i ekipit negociator të “Hamasit”. Një zyrtar amerikan u ka thënë gazetarëve të enjten se Izraeli është “shumë skeptik se ‘Hamasi’ do të çarmatoset”. “Jemi shumë të sigurt se ata do t’i përmbahen kësaj”, shtoi zyrtari amerikan.
“Nëse nuk e bëjnë, padyshim që presidenti Trump do të zhgënjehej tepër shumë”. Kishte gjithashtu dilema se sa do të zgjasë procesi. Një zyrtar i Bordit të Paqes dha një vlerësim prej 200 deri në 320 ditësh, por një zyrtar amerikan e minimizoi këtë afat kohor.
Një zyrtar izraelit, i cili nuk pranoi të identifikohej, ka thënë para njoftimit të Trumpit se Izraeli kishte hedhur poshtë propozimin. “Izraeli kërkon çarmatimin e plotë të ‘Hamasit’, duke përfshirë largimin e armëve nga Gaza dhe demilitarizimin e plotë të Rripit si parakusht për çdo proces”, ka thënë zyrtari më herët.
“Dokumenti 15-pikësh në fjalë nuk ofron përgjigje të kënaqshme për këto kërkesa dhe Izraeli shprehu kundërshtimet e tij”. Më parë, sulmet izraelite vranë të paktën gjashtë palestinezë në Gazë, përfshirë dy fëmijë, thanë mjekët. Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com
