Një zyrtar i lartë i Hamasit ka deklaruar se grupi palestinez nuk do të ndërmarrë asnjë hap drejt çarmatimit përpara se forcat izraelite të tërhiqen nga Rripi i Gazës. Ghazi Hamad, anëtar i delegacionit negociues të Hamasit, tha se procesi i çarmatimit lidhet drejtpërdrejt me tërheqjen e Izraelit dhe rindërtimin e territorit palestinez.
Në një prononcim për Al Jazeera, ai theksoi se Izraeli nuk do të ketë rol në këtë proces, i cili, sipas tij, duhet të zbatohet nga një komitet kombëtar palestinez. Hamad bëri të ditur se Hamasi nuk do të zbatojë asnjë masë çarmatimi pa i përmbushur më parë Izraeli detyrimet që dalin nga marrëveshja.
Ai i përshkroi negociatat si të vështira, duke thënë se grupi është përpjekur të sigurojë rezultatin më të mirë të mundshëm, duke mbrojtur njëkohësisht të drejtat e popullit palestinez. Zyrtari i Hamasit falënderoi Egjiptin, Katarin dhe Turqinë për rolin e tyre ndërmjetësues në arritjen e marrëveshjes.
Deklarata e tij erdhi pasi presidenti amerikan, Donald Trump, njoftoi se është arritur një marrëveshje për çarmatimin e plotë të Hamasit dhe grupeve të tjera të armatosura në Gaza, ndërsa forcat izraelite pritet të tërhiqen gradualisht nga territori. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
