“I nxehti ma mori”: Si po nënraportohen viktimat e të nxehtit ekstrem

0%

Nga: The Guardian Përktheu:

Flutura Gashi-Mehmeti Shpërndaje në: Ndërsa i nxehti ekstrem u merr jetën punëtorëve në zonat më të varfra të Indisë, shumëkush ka frikë se shkalla reale e vdekshmërisë po nënvlerësohet në mënyrë të rrezikshme Ajri i mëngjesit ishte tashmë i nxehtë dhe mbytës kur Palli Mahalaxmi u zgjua rreth orës 5 të mëngjesit.

Ishte maji dhe, gjatë valës së të nxehtit që kishte përfshirë këtë cep të Indisë jugore, as nata nuk u sillte lehtësim banorëve të fshatit. Një ventilator i vetëm varej në tavan mbi Mahalaxmin, bashkëshortin dhe djalin e saj, ndërsa flinin në një dhomë të vogël, pa dritare, të ndërtuar me beton të trashë.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Mahalaxmi nisi të përgatiste mëngjesin dhe familja hëngri së bashku në pjata çeliku, si çdo mëngjes. Djersa u pikonte nga balli ndërsa dielli ngrihej gjithnjë e më lart. Pak para orës 6 të mëngjesit, Mahalaxmi mbushi shishen me ujë dhe u nis për në punë.

Ndërsa banorët e tjerë dilnin nga shtëpitë e tyre të vogla, të lyera me ngjyra të ndezura, drejt rrugës së pluhurosur të fshatit, Mahalaxmi i përshëndeste me buzëqeshje dhe energjinë që e karakterizonte gjithmonë. Duke biseduar rrugës drejt arave ku do të punonin atë mëngjes, gratë mbuluan fytyrat: do të ishte një ditë tjetër përvëluese.

Ashtu si shumë banorë të Busabhadrës, një fshat i varfër rural në shtetin indian të Andhra Pradesh, Mahalaxmi mbështetej te një program qeveritar që i siguronte punë. Ky program, i krijuar 20 vjet më parë, garanton 100 ditë punë të paguar për familjet e varfra jashtë qyteteve dhe punëson më shumë se 80 milionë njerëz në të gjithë Indinë.

Megjithëse puna ishte e rëndë, punë fizike në ara, në kantierë ndërtimi dhe në ndërtimin e rrugëve për vetëm 180 rupi në ditë (rreth 1.65 euro), ajo ishte një shpëtim për 50-vjeçaren Mahalaxmi. Me bashkëshortin që nuk mund të punonte, një djalë me aftësi të kufizuara dhe borxhet nga dasma e vajzës, ky program ishte burimi i vetëm që e mbante familjen gjallë.

Ajo nuk mund të përballonte të mungonte qoftë edhe një ditë. Edhe Botë 30 nën 2025 Mercenarët rusë akuzohen për vrasje e tortura në Mali Atë ditë, Mahalaxmi dhe një grup grash po hapnin një rezervuar uji pranë lumit, mes fushave të orizit ku nuk kishte asnjë pemë që t’u bënte hije, ndërsa temperatura kalonte 40 gradë Celsius.

Pranë punonte edhe shoqja e saj, Parvati Purilla, 45 vjeçe, e cila kujton se atë ditë e vetmja gjë për të cilën flisnin ishte vapa. Shumica ishin të rraskapitura ende pa filluar punën. “Vapa ishte e tmerrshme dhe e bënte punën shumë të vështirë”, tha Purilla. “Kur pije ujë, e nxirrje menjëherë me djersë. Ndonjëherë na merreshin mendtë, por çfarë zgjidhje kishim?”, shton ajo.

Nuk kaloi shumë dhe grave u mbaroi uji i pijshëm. Megjithatë, Mahalaxmi nuk ankohej. “Ajo ishte personi më aktiv në grupin tonë dhe dukej gjithmonë e lumtur”, tha Purilla. “Nuk dukej sikur i mbaronte ndonjëherë energjia dhe nuk ankohej kurrë për dhimbje apo sëmundje. Punonte më shumë se shumica prej nesh”. Në orën 11 paradite, turni i parë i ditës kishte përfunduar.

Gratë u kthyen në shtëpi, duke folur shumë pak për shkak të lodhjes. Mahalaxmi nuk tha asnjë fjalë kur mbërriti në shtëpi, por shkoi drejt në dhomën e gjumit, ku u rrëzua në shtrat, sikur po flinte. Kur, disa orë më vonë, bashkëshorti i saj, Palli Shyam Sundha Rao, nuk arriti ta zgjonte, ai nxitoi të gjente një mjek.

Pasi ekzaminoi trupin e saj të pajetë, mjeku arriti në përfundimin se Mahalaxmi kishte vdekur nga goditja e të nxehtit. “Ishte një tronditje e madhe për të gjithë ne”, tha Purilla. “Ajo dukej gjithmonë kaq e fortë. Nëse vapa mund ta merrte atë në këtë mënyrë, atëherë mund të marrë cilindo prej nesh”. Familja thotë se qeveria duhet të marrë përgjegjësi për vdekjen e saj.

Ata nuk kanë marrë asnjë ndihmë apo kompensim nga shteti dhe po mbijetojnë falë ndihmave të fqinjëve. “Pa të jemi të pafuqishëm”, tha Rao. Përpjekja për të fshehur të dhënat Vdekja e Mahalaxmit është vetëm një nga mijëra rastet që kanë ndodhur ndërsa kriza klimatike po përfshin Indinë dhe temperaturat po arrijnë nivele gjithnjë e më të rrezikshme, madje vdekjeprurëse.

Ekspertët paralajmërojnë se valët e të nxehtit, të cilat po bëhen gjithnjë e më të shpeshta, tashmë po arrijnë temperatura pranë kufirit të mbijetesës njerëzore.

Këtë vit temperaturat kanë arritur deri në 48 gradë Celsius në një qytet dhe, në një ditë të prillit, 50 qytetet më të nxehta në botë ndodheshin të gjitha në Indi. 90 për qind e fuqisë punëtore të Indisë punon në sektorin informal, me shumë pak mbrojtje ndaj vapës.

Miliona fermerë, punëtorë ndërtimi, shitës ambulantë dhe roje sigurie punojnë jashtë në temperatura që gjatë verës kalojnë rregullisht 44 gradë Celsius, ndërsa gratë detyrohen të kalojnë orë të tëra në kuzhina përvëluese.

Ekspozimi ndaj vapës vazhdon shpesh edhe gjatë natës, veçanërisht në qytetet e mëdha, ku temperaturat nuk bien më ndjeshëm, duke shkaktuar mungesë gjumi dhe duke penguar rikuperimin e organizmit. Goditja nga të nxehtit, nëse nuk trajtohet, ka një shkallë vdekshmërie prej 80%.

Megjithatë, në një aspekt, vdekja e Mahalaxmit është e pazakontë: shkaku zyrtar i vdekjes u përcaktua si “goditja nga të nxehtit”. Në Indi, numri i saktë i njerëzve që humbin jetën nga temperaturat ekstreme mbetet i paqartë dhe ekspertët thonë se shifrat reale po nënvlerësohen në mënyrë të rrezikshme.

Sipas statistikave zyrtare të Indisë, në vitin 2024, kur vendi u godit nga valë rekord të të nxehtit, u regjistruan 460 vdekje të lidhura me vapën, ndërsa në vitin 2025 vetëm 84. Në kontrast, Evropa, me rreth gjysmën e popullsisë së Indisë prej 1.5 miliard banorësh, regjistron mesatarisht 175.000 vdekje nga i nxehti çdo vit, sipas OKB-së.

Një raport i ri nga studiues të Universitetit të Kalifornisë në Berkeley u përpoq të llogariste numrin real të viktimave në Indi. Sipas vlerësimeve të tyre, vetëm një ditë me temperatura ekstreme mund të shkaktojë rreth 3.400 vdekje shtesë në nivel kombëtar, ndërsa një valë pesëditore e të nxehtit mund të marrë afro 30.000 jetë.

Megjithatë, Ashok Gadgil, bashkautor i raportit, tha se kërkimi i tyre u pengua nga një përpjekje e qëllimshme e qeverisë indiane për të fshehur të dhënat. Për më shumë se një vit, Gadgil dhe kolegu i tij u përpoqën të siguronin të dhëna zyrtare për vdekjet gjatë valëve të të nxehtit në të gjithë vendin, por përpjekjet e tyre u bllokuan sistematikisht nga qeveria.

Edhe Botë Shitja e fëmijëve për të mbijetuar: Afganët detyrohen të marrin vendime të vështira “Vdekjet nga vapa janë një katastrofë që mund të parandalohen, mund të parashikohen dhe që do të përkeqësohen vazhdimisht”, tha Gadgil. Në fund, studiuesit u detyruan të mbështeteshin vetëm në një numër të kufizuar të dhënash publike nga 10 qytete indiane.

Ai pranoi se numri i vdekjeve në zonat rurale të largëta, ku njerëzit janë më të varfër, punojnë në ambiente të hapura, janë më pak të mbrojtur nga temperaturat ekstreme dhe kanë më pak qasje në kujdes shëndetësor, mund të jetë edhe më i lartë se vlerësimet e tyre. Gadgil u habit nga reagimet negative në Indi ndaj raportit, ku disa figura të larta pretenduan se ai po përhapte panik.

“Të paktën ta masim saktë problemin. Pastaj të gjithë mund të jenë vigjilentë, mund të krijohen sisteme paralajmërimi të hershme dhe të shpëtohen jetë”, tha ai. Ekspertët thonë se është e vështirë të përcaktohet një “vdekje nga vapa” vetëm duke parë trupin dhe rastet zyrtare të tilla janë veçanërisht të rralla në Indi.

Ndryshe nga infarkti, mbytja apo rënia nga lartësia, goditja fatale nga të nxehtit nuk lë një shenjë të vetme të dukshme. Ndërsa temperatura e brendshme e trupit rritet për shkak të vapës ekstreme dhe dehidratimit, gjaku shtyhet drejt sipërfaqes së lëkurës, gjë që mund të çojë në kolaps, dështim të organeve ose infarkt.

Ekspozimi afatgjatë ndaj vapës mund të përkeqësojë gjithashtu sëmundjet kronike, veçanërisht ato të veshkave. Regjistrimi i vdekjeve nën shkaqe të tjera Mjekë në mbarë Indinë thanë se shumë vdekje nga vapa regjistrohen nën shkaqe të tjera, veçanërisht në zonat rurale ku njerëzit nuk arrijnë të marrin ndihmë mjekësore.

Në Ranganathapuram, një fshat i largët fisnor në Andhra Pradesh, banorët janë të bindur se vapa i mori jetën 39-vjeçarit Nadupooru Krishnarao, i cili vdiq në fund të majit. Natën para vdekjes kishte qenë aq nxehtë sa të gjithë kishin fjetur jashtë, nën pemë, por kjo nuk kishte bërë ndonjë ndryshim.

Kur Krishnarao u nis në orën të mëngjesit për të mbledhur dhe prerë dru zjarri në fushat e thata, pa marrë ujë me vete, dielli ishte tashmë përvëlues. Kur u kthye në mesditë, temperatura ishte rreth 45 gradë Celsius. Fqinjët e dëgjuan të ankohej se ndiehej keq dhe me marramendje. Pasi u la në lumë, tha se ende nuk po qetësohej. Hyri brenda për të pushuar, por nuk u ngrit më.

Kur ndihma e shpejtë erdhi për të marrë trupin e tij, askush nuk bëri pyetje. Në certifikatën e vdekjes, shkaku zyrtar mbeti bosh. Por bashkëshortja e tij, 31-vjeçarja Rekha Naduputri, thotë se ajo e di të vërtetën: “Vapa ma mori burrin”.

Në kryeqytetin indian, Delhi, një raport i fundit paralajmëroi se qyteti po përballet me një “krizë urbane të përshkallëzuar të nxehtësisë”, ku 76% e zonave vuajnë vazhdimisht nga stresi termik. Në vitin 2025, temperatura e perceptuar që tregon se sa nxehtë ndihet realisht moti kur del jashtë, kaloi 52 gradë Celsius.

Shifrat zyrtare për vdekjet nga vapa këtë vit mbeten të paqarta, por një 24-vjeçar pësoi goditje nga të nxehtit pasi kaloi më shumë se 20 orë në një tren të mbushur plot, nga shteti lindor i Bengalit Perëndimor drejt Delhit. Ai u dërgua në njësinë e specializuar të goditjeve nga të nxehtit në spitalin Ram Manohar Lohia me temperaturë trupore 41 gradë Celsius.

Pavarësisht përpjekjeve për ta ftohur, ai pësoi dështim të mushkërive dhe veshkave dhe vdiq katër ditë më vonë. Doktori Amlendu Yadav, drejtues i njësisë së trajtimit të goditjeve nga të nxehtit në këtë spital, tha se është i bindur se vdekjet nga vapa po nënraportohen.

Ai vuri re se gjatë valëve të të nxehtit numri i pacientëve që silleshin në spital tashmë të vdekur ishte tri deri në pesë herë më i madh. Shumë prej viktimave ishin të pastrehë ose jetonin në varfëri ekstreme. “Raportet e autopsisë dërgohen drejtpërdrejt në Ministrinë e Shëndetësisë, ndaj nuk e di se cilat janë konkluzionet përfundimtare”, tha ai.

“Por dyshoj se shumë prej atyre vdekjeve shtesë lidhen me vapën”. India ka filluar të ndërmarrë masa për t’u përballur me temperaturat ekstreme. Këtë vit, Ministria e Financave i njohu zyrtarisht valët e të nxehtit si një fatkeqësi kombëtare. Megjithatë, edhe pse plani i veprimit i Ministrisë së Shëndetësisë trajton “rreziqet shëndetësore”, ai nuk përmend vdekshmërinë.

Ministria e Mjedisit dhe Autoriteti Kombëtar për Menaxhimin e Fatkeqësive nuk iu përgjigjën kërkesave për koment. Edhe Botë 1 kor 2026 Raporti: Cilësia e ajrit në Evropë po përmirësohet, por i nxehti ekstrem paraqet rrezik Ekspertët dhe mjekët theksojnë se regjistrimi i saktë i vdekjeve nga vapa mund të çojë në ndërhyrje vendimtare dhe në krijimin e sistemeve të paralajmërimit të hershëm, të cilat do të parandalonin humbjen e jetëve në shkallë masive.

“Duke pasur parasysh ritmin e ndryshimeve klimatike dhe valët e të nxehtit që po shohim në Evropë dhe madje edhe në disa pjesë të SHBA-së, India mund të përballet me një epidemi të goditjeve nga të nxehtit nëse nuk përgatitemi në kohë”, përfundoi Yadav.

Burimi: Koha