Irani ka refuzuar propozimin e Omanit për menaxhimin e transportit detar përmes Ngushticës së Hormuzit, ndërsa një ekspert i politikave publike e ka cilësuar këtë vendim si të nxituar.
Duke folur për Al Jazeera, profesori Sultan Barakat nga Universiteti Hamad Bin Khalifa tha se Teherani duhej ta kishte përdorur propozimin si mundësi për thellimin e negociatave me Omanin dhe shtetet e Gjirit. “Mendoj se ishte gabim që propozimi u refuzua menjëherë. Irani duhej të merrte kohë dhe ta përdorte si mundësi për negociata të mëtejshme”, deklaroi Barakat.
Sipas tij, plani i Omanit parashihte dy rrugë detare, të cilat mund të përdoreshin nga anijet hyrëse dhe dalëse. Kompanitë e transportit do të mund të paguanin tarifa vullnetare, ndërsa njëra nga korsitë do të kalonte më afër bregdetit të Omanit.
Barakat shpjegoi se Irani e kundërshtoi këtë skemë për shkak të frikës se me kalimin e kohës trafiku detar do të zhvendosej drejt ujërave territoriale të Omanit. Teherani kërkon një sistem të ndarë me korsi të veçantë për hyrje dhe dalje, duke synuar kontroll të drejtpërdrejtë mbi korsinë hyrëse. Kjo do t’i mundësonte Iranit t’i monitoronte anijet ushtarake që hyjnë në ngushticë.
Propozimi i Omanit parashihte që rrugët e tranzitit të ndaheshin në mënyrë të barabartë mes Iranit dhe Omanit. Ndërsa kundërpropozimi iranian kërkon që Teherani të kontrollojë një korsi të plotë dhe një pjesë të rrugës së kthimit.
Zëvendësministri i Jashtëm iranian, Kazem Gharibabadi, ka paralajmëruar se Ngushtica e Hormuzit do të mbetet e mbyllur nëse Omani nuk e pranon propozimin e Iranit. Barakat paralajmëroi se përshkallëzimi i fundit mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit e ka bërë situatën edhe më të rrezikshme, ndërsa mosmarrëveshja për menaxhimin e ngushticës mund t’i rrisë më tej tensionet në rajon.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
