Edicioni i gjashtë i “Rame Lahaj International Opera Festival” (RLIOF) u përmbyll mbrëmjen e së mërkurës, më , me gala-koncertin tradicional “Rame Lahaj & Friends”, të mbajtur në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë.
Mijëra qytetarë e të ftuar ndoqën koncertin, i cili, përtej dimensionit artistik, u shndërrua në një manifestim të dialogut kulturor dhe të mesazhit që festivali ka promovuar gjatë gjithë këtij edicioni “Play Music, Not War”.
Përmes një programi të përbërë nga vepra emblematike të repertorit operistik botëror e muzikës shqiptare, mbrëmja dëshmoi se opera, edhe në një hapësirë publike mund të krijojë një komunikim të drejtpërdrejtë me publikun dhe të ndërtojë ura mirëkuptimi përmes artit.
Gala-mbrëmja “Rame Lahaj & Friends” u hap me uverturën e operës “Il Barbiere di Siviglia” të Gioachino Rossini, interpretuar nga bas-baritoni Luca Pisaroni, i pasuar më pas nga prezantimi i sopranos Vanessa Goikoetxea e mezo-sopranos Štěpánka Pučálková.
Në skenën e kësaj gala-mbrëmjes është ngjitur edhe tenori Ramë Lahaj, i cili interpretoi edhe të famshmen “Bella Ciao” e këngë të muzikës shqiptare.
Një nga një e në fund të mbrëmjes të gjithë bashkë, tenori Lahaj dhe miqtë e tij, interpretuan për publikun pjesë nga operat më të mira botërore e të muzikës shqiptare, duke krijuar atmosferën e një mbrëmjeje ku repertori klasik u ndërthur me energjinë e një audience të gjerë.
Gala-koncerti “Rame Lahaj & Friends” është shoqëruar nga Orkestra Simfonike e Radiotelevizionit Shqiptar, nën drejtimin e dirigjentit Giuseppe Finzi. Posteri për koncertin “Rame Lahaj & Friends”. Foto: Facebook/ Rame Lahaj Foundation.
Audienca e shkëlqyer Edhe këtë vit një nga aspektet më domethënëse të mbrëmjes ishte prania e artistëve të njohur ndërkombëtare, të cilët e përjetuan interpretimin në Prishtinë jo vetëm si një angazhim profesional, por edhe si një përvojë kulturore. Pas koncertit, bas-baritoni Luca Pisaroni theksoi se performanca në Kosovë kishte një domethënie të veçantë për të.
“Për mua është fantastike të jem këtu. Vij nga Italia, një vend me traditë të gjatë operistike, dhe ta sjell muzikën time në një vend që ende nuk ka një teatër kombëtar opere është një privilegj”- tha ai për KALLXO.com, duke shtuar se programi i mbrëmjes nuk ishte i lehtë pasi përfshinte edhe vepra më pak të njohura, por, siç tha ai publiku reagoi në mënyrë të jashtëzakonshme.
Ai vlerësoi edhe përkushtimin e artistëve dhe të organizatorëve për koncertin. “Kam ndier të njëjtin pasion që e shoh edhe në Itali. Bashkëpunimi me orkestrën, dirigjentin dhe kolegët ishte i shkëlqyer, sepse secili ishte plotësisht i përkushtuar. Kjo energji kolektive është ajo që e bën një festival të ketë identitet”- tha Pizaroni.
Përshtypje të veçanta ndau edhe sopranoja spanjolle Vanessa Goikotzea. “Nuk e prisja një pjesëmarrje kaq të madhe. Kam kënduar në shumë skena të hapura, por atmosfera në Prishtinë ishte vërtet prekëse. Publiku reagoi gjatë gjithë kohës, duartrokiti, e përjetoi muzikën bashkë me ne dhe kjo krijoi një lidhje shumë të veçantë”- tha ajo.
Gjatë gala-mbrëmjes, tha ajo, përjetoi jo vetëm një koncert të bukur, por edhe një mikpritje të jashtëzakonshme. Kurse, tenori Ramë Lahaj, tha gjatë një prezantimi në mbrëmjen gala se interesimi dhe mikpritja e publikut është motivi për realizimin e festivalit RLIOF. Lahaj tha se mbështetja që po merr festivali po krijojnë mundësi për punë më talentet e reja të muzikës.
“Me këtë mbështetje ne kemi pasur mundësi për të punuar me gjeneratat e reja, për të kultivuar muzikën tonë qytetare-popullore. Ajo çka unë e kam shumë për zemër puna ndaj gjeneratës së re”- tha Lahaj, themelues i festivalit. Një muaj aktivitete Edicioni i 6-të i festivali RLIOF nisi më me koncertin e grupit “Minatori” dhe ekspozitës “Before Beauty/After Beauty” të Fadil Berishës.
Për gati një muaj, me moton “Play Music, Not War”, këtë vit “RLIOF 2026” u zhvillua në një format të zgjedhuar duke ndërthurur operën, muzikën shqiptare, xhazin, fotografinë dhe programet edukative Një nga veçoritë e këtij edicioni është mbrëmja “Open Mic Karaoke Night’, ndërsa, mbrëmja kushtuar Nexhmije Pagarushës u mbajt në tri qytete, në Prishtinë, Ferizaj e Istog.
Mbrëmjen e 20 korrikut Prishtina mirëpriti koncertin “Young Classics” të realizuar nga RLIOF në bashkëpunim me korin dhe orkestrën e shkollës së muzikës “Amadeus”. Po në kuadër të festivalit janë mbajtur edhe koncertet “Ensemble Evening”, “New Generation”, “Opera Night”. Përveç gala-koncertit “Rame Lahaj & Friends”, të gjitha aktivitetet e tjera të festivalit ishin pa pagesë.
Festivali “Rame Lahaj International Opera Festival” është themeluar në vitin 2021 nga fondacioni “Rame Lahaj Foundation”. Qëllimi i festivali, siç thuhet në ueb faqen e tij, është njohja e audiencën kosovare me muzikën klasike. Ky festival, po sipas ueb faqes, ofron një mundësi unike për publikun që të zhytet në një përvojë që nuk ka qenë lehtësisht e arritshme për ta deri më tani.
Pamje nga gala- mbrëmja “Rame Lahaj & Friends” 2026. Foto: KALLXO.com. Pamje nga gala- mbrëmja “Rame Lahaj & Friends” 2026. Foto: KALLXO.com. Pamje nga gala- mbrëmja “Rame Lahaj & Friends” 2026. Foto: KALLXO.com.
