E pranon fajësinë i akuzuari për tentim-vrasjen ndaj babait të tij,

0%

Në Gjykatën e Prizrenit të enjten, më , është mbajtur vazhdimi i shqyrtimit gjyqësor ndaj Arlind Sadikut, i akuzuar për veprën penale – vrasje e rëndë në tentativë. Avokati i të akuzuarit, Bajram Hamitaga, njoftoi trupin gjykues se klienti i tij pas konsultimeve me mbrojtjen do të deklarohej lidhur me pranimin e fajësisë.

I pyetur nga kryetarja e trupit gjykues, Sadije Selmani, nëse e pranonte fajësinë, Sadiku ka pranuar fajësinë, duke i kërkuar falje babait të tij dhe duke premtuar gjithashtu se nuk do të përsërisë më veprime të tilla. “E pranoj fajësinë dhe i kërkoj falje babait, nuk kam me e përsëritë ma” – tha Sadiku.

Pas pranimit të fajësisë, trupi gjykues konstatoi se janë përmbushur kushtet ligjore dhe e pranoi pranimin e fajësisë. Në fjalën përfundimtare, prokurori i shtetit, Atnor Skoro, deklaroi se me pranimin e fajësisë nga i akuzuari, është vërtetuar gjendja faktike e përshkruar në aktakuzë dhe i propozoi Gjykatës që ta shpallë fajtor dhe ta dënojë sipas ligjit.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Ai kërkoi gjithashtu që krahas dënimit Gjykata t’i shqiptojë të akuzuarit edhe masën e trajtimit të detyrueshëm psikiatrik në liri, si dhe të konfiskojë një sëpatë, e cila, sipas aktakuzës, është përdorur si mjet i kryerjes së veprës penale.

Prokurori kërkoi po ashtu që, pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit të shkatërrohen edhe mostrat e tamponëve me njolla gjaku që janë administruar si prova në këtë procedurë. I dëmtuari, S.S. deklaroi se nuk kërkon kompensim të dëmit dhe se dëshira e tij është që djali i tij të trajtohet dhe të shërohet.

Mbrojtësja e viktimave, Ganimete Kitmir, mbështeti në tërësi fjalën përfundimtare të prokurorit të shtetit. Ndërkaq, mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Bajram Hamitaga, kërkoi nga Gjykata që gjatë caktimit të dënimit të vlerësojë si rrethana lehtësuese faktin se i akuzuari nuk ka qenë më parë në konflikt me ligjin, është penduar për veprën, i ka kërkuar falje babait të tij dhe ka premtuar se nuk do të kryejë më vepra penale.

Ai kërkoi gjithashtu shqiptimin e masës së trajtimit të detyrueshëm psikiatrik në liri, në përputhje me propozimin e prokurorit dhe mendimin e ekspertit psikiatrik të dhënë në seancën e 24 korrikut 2026, si dhe ndërprerjen e masës së paraburgimit.

Edhe vetë i akuzuari, në fjalën e tij përfundimtare, i kërkoi falje babait, premtoi se do ta ndjekë rregullisht terapinë dhe kontrollet psikiatrike, si dhe kërkoi që t’i ndërpritet masa e paraburgimit. Gjithashtu, në fillim të seancës, i dëmtuari – babai i të akuzuarit – dha deklaratën e tij në cilësinë e dëshmitarit, duke treguar ngjarjen e 14 janarit 2026.

Ai tha se kishte vërejtur që djali i tij nuk ishte në gjendje të mirë mendore. “Atë ditë Arlindi nuk ka qenë në vete. Sapo u ktheva nga Prizreni shkova të pushoja pak. Mendova se hyri gruaja në dhomë, e pastaj pash që ishte Arlindi dhe menjëherë e ndjeva goditjen me sëpatë në pjesën e majtë të kokës, prapa veshit. I thashë: ‘Arlind, çka bane?’, por ai nuk thojke ma sen” – tha S.S.

Ai tregoi se menjëherë ishte përpjekur ta largonte djalin dhe t’ia merrte sëpatën. “Më pas për ta ndalur e godita dy herë me shkelma vetëm që ta largoja nga vetja. Kur pa gjakun, ai u kthjell dhe iku nga shtëpia, duke e lënë sëpatën në ballkon” – tha S.S.

Sipas dëshmitarit, në vendin e ngjarjes nuk kishte dëshmitarë të tjerë dhe bashkëshortja kishte hyrë në dhomë vetëm pasi ai kishte kërkuar ndihmë. Duke u përgjigjur në pyetjet e prokurorit, S.S. tha se shkaku i konfliktit kishte qenë përpjekja e tij që ta pajiste djalin me dokumentacion për përfitimin e ndihmës sociale, pasi mjeku psikiatër kishte vlerësuar se ai nuk ishte i aftë për punë.

“Arlindi kishte qejf me punu, por nuk mundej. Doktori më tha se nuk ishte i aftë për punë. Unë i dorëzova dokumentet për ndihmë sociale, por ai u hidhërua dhe më tha: ‘Pse më ke bërë të paaftë?’. Më kërkoi t’i tërhiqja dokumentet dhe unë i tërhoqa. Krejt kjo ka qenë arsyeja e rastit”, tha ai.

Ai shtoi se djali i tij ishte trajtuar për rreth dhjetë vjet nga psikiatri, por gjendja e tij ishte përkeqësuar pasi kishte ndërprerë terapinë. Pas përfundimit të dëshmisë së të dëmtuarit, gjykata vazhdoi me administrimin e provave materiale.

U lexuan raporti i policisë, procesverbalet e bastisjes, kontrollit dhe sekuestrimit të përkohshëm, lista e dëshmive të sekuestruara, raporti i këqyrjes së vendit të ngjarjes, fotoalbumi, raporti mjekësor i Spitalit Rajonal të Prizrenit, ekspertiza mjekoligjore e Dr. Naim Halitit, si dhe raporti i Institutit të Psikiatrisë Forenzike të Kosovës.

Pas përfundimit të fjalëve përfundimtare, trupi gjykues u tërhoq, me kryetare Sadije Selmani si dhe antarë Ilir Rashkaj dhe Teuta Krusha, për këshillim dhe vendosi që shpallja e aktgjykimit të bëhet më . Qka thuhet në aktakuzë?

Sipas aktakuzës, më , rreth orës , në rrugën “Liqeni i Lurës”, në fshatin Lubizhdë të Komunës së Prizrenit, saktësisht në shtëpinë e tij familjare, i pandehuri, në gjendje të aftësisë së zvogëluar mendore në shkallë esenciale, me dashje ka tentuar ta privojë nga jeta anëtarin e familjes – babain e tij, të dëmtuarin S.S.

Në aktakuzë thuhet se, për shkak të problemeve të vazhdueshme familjare që kishin mes tyre, pas një fjalosjeje me të dëmtuarin, i pandehuri kishte shkuar në oborrin e shtëpisë, ku kishte marrë një sëpatë dhe, i pajisur me të njëjtën, kishte hyrë në dhomën e gjumit, ku i dëmtuari ishte duke fjetur, dhe e kishte goditur atë në anën e pasme të majtë të kokës.

Sipas aktakuzës, si pasojë e goditjes, i dëmtuari kishte pësuar plagë prerëse në anën e majtë të kokës, në regjionin tëmthor-pas veshit të majtë e deri te qafa, të shkaktuara nga mjeti i fortë dhe i rëndë me teh, duke pësuar dëmtim të përkohshëm të shëndetit.

Lëndimet janë kualifikuar si lëndime të lehta trupore, sipas akt-ekspertimit mjekoligjor të 10 shkurtit 2026, të përgatitur dhe konstatuar nga Dr. Naim Haliti. Me këto veprime, sipas aktakuzës, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “vrasje e rëndë” e mbetur në tentative. TENTIM VRASJE, ARLIND SADIKU, TEUTA KRUHSA, VRASJE NË TENTATIVË, SADIJE SELMANI, ILIR RASHKAJ, GJYKATA E PRIZRENIT

Burimi: Kallxo