Filmi “Odisea”, me regji të Christopher Nolanit, po vazhdon suksesin e madh në kinematë botërore, duke arkëtuar mbi 650 milionë dollarë brenda dy javësh nga publikimi. Prodhimi epik është shndërruar në një prej filmave më të suksesshëm të vitit, ndërsa parashikimet janë se mund ta kalojë shifrën prej një miliard dollarësh në arkat globale.
Përtej suksesit financiar, filmi ka nxitur një interes të madh edhe për poemën antike të Homerit, mbi të cilën është bazuar historia. Shitjet e veprës “Odisea” janë rritur ndjeshëm në disa vende, duke bërë që një numër i madh lexuesish t’i rikthehen letërsisë klasike.
Në Mbretërinë e Bashkuar, shitjet e librit raportohet se janë rritur me rreth 70 për qind krahasuar me vitin e kaluar, ndërsa në Shtetet e Bashkuara rritja ka arritur në 76 për qind që nga fillimi i vitit. Interesimi është zgjeruar edhe te gjuha dhe kultura greke.
Sipas të dhënave të cituara nga platforma Preply, kërkimet në internet për mësimin e greqishtes janë rritur ndjeshëm pas premierës së filmit.
Ekspertja e trendeve gjuhësore, Madeline Enos, ka shpjeguar se greqishtja e lashtë u mundëson lexuesve të afrohen më shumë me tekstin origjinal të Homerit, ndërsa greqishtja moderne u ofron mundësi për ta njohur kulturën bashkëkohore dhe për të komunikuar me folësit e saj. Megjithatë, filmi nuk është pritur me të njëjtin entuziazëm nga të gjithë studiuesit e letërsisë klasike.
Përkthyesja dhe klasicistja Emily Wilson ka vlerësuar ndikimin kulturor të tij, por ka kritikuar mënyrën e trajtimit të personazheve dhe mungesën e thellësisë emocionale e psikologjike të poemës së Homerit. Pavarësisht kritikave, “Odisea” po konsiderohet një fenomen kulturor, pasi ka rikthyer vëmendjen e publikut te letërsia antike dhe trashëgimia kulturore e Greqisë.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
