Shkëndija nga Tetova sonte në Arenën Kombëtare “Todor Proeski” e mposhti ekipin e Bravos nga Sllovenia me rezultat 3:1, duke siguruar kalimin në fazën tjetër të Conference League. Ekipi tetovar duhej të përmbyste disavantazhin e ndeshjes së parë 2:1) dhe më pas të arrinte fitoren e nevojshme me dy gola epërsi për të vazhduar garat në garat evropiane.
Shkëndija e nisi shumë mirë ndeshjen dhe pati dy raste të shkëlqyeshme për të kaluar në epërsi. Ato nuk u shfrytëzuan, ndërsa më pas erdhi një “dush i ftohtë”.
Futbollisti Arinze depërtoi përmes mbrojtjes së Shkëndijës, pati edhe pak fat, e kontrolloi topin dhe asistoi te Stankoviq, i cili me një driblim u lirua nga mbrojtësit dhe nga rreth 15-16 metra goditi saktë në portën e Amzait, 0:1 në minutën e 17-të. Pavarësisht golit të pësuar, tetovarët vazhduan të sulmonin.
Nzenge pati një rast të mirë, por goditja e tij përfundoi milimetra pranë shtyllës. Kur lojtarët e Shkëndijës nuk po arrinin të shënonin, Bravo realizoi autogol përmes Jovanit. Pas një topi të harkuar në zonë, ai e dërgoi topin në portën e skuadrës së tij dhe Shkëndija barazoi në minutën e 36-të. Pjesa e parë përfundoi me rezultat 1:1.
Në pjesën e dytë, Shkëndija ishte e vendosur të shënonte golin e dytë të nevojshëm. Ai erdhi vetëm pesë minuta pas fillimit të fraksionit të dytë. Tamba asistoi për Kryeziun, i cili me kokë mposhti Rozhmanin dhe i dha epërsinë ekipit tetovar në minutën e 50-të. Skuadra e drejtuar nga Artim Pollozhani kërkoi edhe golin e tretë. Krijoi shumë raste, por fati nuk ishte në anën e saj.
Nzenge goditi shtyllën, ndërsa më pas edhe i sapofuturi Gjorgjievski qëlloi traversën. Megjithatë, fati buzëqeshi dy minuta para fundit. Marko Gjorgjievski shënoi me kokë pas asistimit të Trumçit, duke i sjellë gëzim të madh Shkëndijës dhe kualifikimin në rrethin e tretë.
