Policia e Shtetit ka dalë me një njoftim të rëndësishëm për qytetarët lidhur me zjarrin që ka përfshirë zonën e Shkozetit, duke bërë të ditur se janë ndërmarrë masa për kufizimin e qarkullimit në disa segmente rrugore.
Sipas njoftimit, është bllokuar qarkullimi i automjeteve në Unazën e qytetit, në mbikalimin e Shkozetit, në segmentin rrugor “Martin Camaj”, në drejtim të Plepave, si dhe në segmentin rrugor Kavajë-Durrës. Policia u bën thirrje të gjithë qytetarëve dhe drejtuesve të mjeteve që të shmangin lëvizjen në këto akse rrugore dhe të përdorin rrugë alternative deri në normalizimin e situatës.
Autoritetet vijojnë të monitorojnë zhvillimet në terren, ndërsa qytetarëve u kërkohet të respektojnë udhëzimet e policisë për të garantuar sigurinë dhe për të lehtësuar ndërhyrjen e shërbimeve emergjente.
