Jordan Jakshiq, pronari i motelit dhe “beach bar” Lake (Jezero) që u rrezuan sot në Ujman, nga autoritetet e Kosovës ka deklaruar se nuk e priste këtë ndërhyrje, pasi, sipas tij, procedura gjyqësore në lidhje me pronësinë e këtyre objekteve ishte ende në zhvillim.
Në një intervistë për Zubin Potok Info ai tha se familja e tij kishte dorëzuar padi kundër ndërmarrjes “Ibër-Lepenci” dhe se vetëm një ditë më parë kishin marrë njoftimin që seanca gjyqësore do të mbahej më 12 gusht. “Nuk e prisnim që do të vinin, sepse kemi ngritur padi kundër Ibër-Lepencit. Dje mësuam se seanca gjyqësore është caktuar për 12 gusht.
Shpresuam se fillimisht do të zhvillohej procesi gjyqësor, e më pas të merrej çfarëdo vendimi” , deklaroi ai, të enjten, pasi iu rrëzua moteli dhe beach bari. Jakshiq tha se dy familjarë të tij ndodheshin në objekt në momentin e ndërhyrjes të siç pretendoi, “atyre me tyta të gjata”. “Djali im dhe dhëndri kanë fjetur këtu mbrëmë.
Ata hynë me forcë, thyen derën e dhomës së ngrënies dhe derën kryesore. Me armë të gjata e gjetën atë në shtrat. Prisnim që kjo të mos ndodhte. Këtu kemi jetuar për më shumë se 30 vjet,” tha ai. Ky ishte objekti i 17 që rrezohet këtë muaj nga inspektorati i Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit hapësinor.
Këto zhvillime ndodhen pas kërkesës së kompanisë Ibër – Lepenc se të gjitha këto objekte ishin ndërtuar në pronën e kësaj ndërmarrje publike, në zonën e liqenit të Ujmanit dhe se pronarët e deritashëm kishin refuzuar t’i lirojnë ato, pavarësisht kërkesave të bëra në fillim të muajit.
Rrënimi i së enjtes u krye pavarësisht thirrjes së fundit të Bashkimit Evropian ndaj autoriteteve të Kosovës për të pezulluar të gjitha veprimet deri në përfundimin e procedurave gjyqësore në lidhje me çështjen e pronësisë së objekteve përreth Ujmanit.
