Pas dy muajsh protestash të përditshme, qytetarët kanë mbyllur mbrëmjen e sotme protestën e 60-të kundër qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama, duke përsëritur thirrjet për dorëheqjen e tij.
Protesta e radhës u shoqërua si çdo natë me marshim nëpër rrugët e Tiranës, ku pjesëmarrësit mbajtën pankarta dhe brohoritën kundër qeverisë, ndërsa në fund të tubimit organizatorët bënë thirrje për vijimin e rezistencës edhe në ditët në vijim.
“Shqipëria kërkon revolucion!”, ishte një prej thirrjeve të dëgjuara gjatë protestës, ndërsa qytetarët përsëritën edhe sloganin: “Rama jep dorëheqjen!” Në përfundim të tubimit, nga sheshi para kryeministrisë u bë thirrje që qytetarët të rikthehen sërish në shesh ditën e nesërme, me mesazhin: “Nesër më shumë!” Prej 60 ditësh, protestuesit vijojnë të kërkojnë largimin e kryeministrit Edi Rama dhe krijimin e një qeverie tranzitore, ndërsa kanë deklaruar se nuk do të tërhiqen deri në plotësimin e kërkesës së tyre kryesore, dorëheqjen e Edi Ramës.
