Shpërndaje në: Egzon Hajdari nga Qendra Sociale “Përpjekja” ka thënë se faji për vdekjet në vendin e punës është zinxhiror, duke filluar nga pronarët e sektorit të ndërtimit e deri te niveli komunal e ai qendror. Ai ka thënë në “Interaktiv” në KTV se që nga viti 2018 kanë humbur jetën 175 punëtorë në vende pune, ndërsa vetëm sivjet 12.
Rasti i fundit u regjistrua të martën mbrëma, ku në Lagjen e Spitalit në Prishtinë humbi jetën një 26-vjeçar pas rrëzimit të vinçit nërsa u lëndua një 18-vjeçar. “Përgjegjësitë kryesorë këtu, për atë që shumë pak po përmendet, janë vetë pronarët e sektorit të ndërtimit. Ata që po përfitojnë milionat mbi gjakun e punëtorëve.
Pastja nuk mund t’i shmangen përgjegjësisë as niveli komunal e ai qendror. Duke u munduar të shfajësohen dje, të dyja treguan se kanë faj”, ka thënë Hajdari. “…Dështimi këtu është zinxhiror.
Përveç inspektorateve, si ai lokal ashtu edhe ai qendror, kemi edhe dështimin e Komunës së Prishtinës që nuk kujdeset ta përforcojë e mbikëqyrë inspektoratin lokal e po ashtu dështimin e Qeverisë së Kosovës që duhet t’i rrisë kapacitetet e inspektoratit të punës, por s’ka bërë asgjë”.
