AC Milan ka reaguar zyrtarisht për të mohuar lajmet që qarkulluan në rrjetet sociale se legjenda e klubit, Franco Baresi, ka ndërruar jetë. Klubi italian publikoi një deklaratë të mërkurën në mbrëmje, pasi raportimet e rreme për gjendjen e 66-vjeçarit u përhapën me shpejtësi në platforma të ndryshme, duke shkaktuar shqetësim te tifozët dhe familjarët e tij.
“AC Milan mohon kategorikisht lajmet e rreme për Franco Baresin që kanë filluar të qarkullojnë në minutat e fundit. Franco po kalon një periudhë të vështirë dhe delikate, ndërsa klubi qëndron plotësisht pranë tij dhe familjes së tij. U bëjmë thirrje të gjithëve të respektojnë privatësinë e tyre dhe të mos përhapin informacione krejtësisht të pabazuara”, thuhet në reagimin e klubit.
AC Milan smentisce le false notizie circolate in questi minuti riguardanti Franco Baresi. Franco sta affrontando un momento delicato e il Club gli è accanto con affetto, così come alla sua famiglia.
Invitiamo tutti a rispettare la sua privacy e a non contribuire alla diffusione… — AC Milan (@acmilan) July 29, 2026 Po përballet me probleme shëndetësore Baresi ka kaluar një periudhë të vështirë shëndetësore gjatë vitit të fundit. Në gusht të vitit 2025, fituesi i Kupës së Botës bëri të ditur se iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale për heqjen e një noduli pulmonar.
Pas operacionit, ai nisi një trajtim me imunoterapi, të cilin vazhdon ta ndjekë edhe aktualisht. Pikërisht kjo gjendje shëndetësore besohet se ndikoi që lajmet e rreme për vdekjen e tij të përhapeshin me shpejtësi, duke bërë që shumë persona t’i besonin ato.
Një ikonë e përjetshme e Milanit Franco Baresi konsiderohet si një nga mbrojtësit më të mëdhenj në historinë e futbollit dhe simbol i Milanit. Ai është një nga futbollistët e rrallë që e kaloi të gjithë karrierën në një klub të vetëm. Baresi debutoi me ekipin e parë të Milanit në vitin 1977 dhe qëndroi te kuqezinjtë deri në pensionimin e tij në vitin 1997.
Gjatë 20 viteve në “San Siro”, ai zhvilloi 716 ndeshje, shënoi 33 gola dhe dhuroi 24 asistime, duke formuar një nga repartet mbrojtëse më të famshme në historinë e futbollit së bashku me Paolo Maldinin, Alessandro Costacurtan dhe Mauro Tassottin.
Në karrierën e tij me Milanin fitoi tre Liga të Kampionëve, gjashtë tituj të Serie A, dy Kupa Interkontinentale, tre Superkupa të Evropës dhe katër Superkupa të Italisë, duke mbetur një nga figurat më të respektuara në historinë e klubit.
