Autoritetet gjyqësore në Shqipëri kanë vendosur të mërkurën t’i konfiskojnë 21 pasuri që u përkasin disa të dënuarve dhe të akuzuarve në Belgjikë për trafik ndërkombëtar të drogës.
Sipas një hetimi nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit, SPAK, paratë e përfituara nga veprimtaria kriminale dyshohet se ishin investuar në Shqipëri, ku pronat ishin regjistruar në emër të të afërmve apo personave të njohur të tyre.
Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, GJKKO, nuk tregoi në vendimin e saj të mërkurën se cila ishte vlera e 21 pasurive të konfiskuara. Një prej drejtuesve kryesorë të këtij rrjeti, sipas autoriteteve belge, është Eridian Munoz Guerrero, i njohur gjithashtu si Eridan Veliu nga Vlora, së bashku me partneren e tij.
Shtetasi shqiptar ishte pjesë e një procesi të madh gjyqësor të ngritur mbi përgjimet e platformës së komunikimeve të koduara Sky ECC, ku u gjykuan 124 persona. Eridian Munoz Guerrero u dënua në Belgjikë me 14 vjet burgim, dënim të cilin po e vuan në këtë shtet. Edhe partnerja e tij, shtetase shqiptare, është dënuar nga drejtësia belge me 8 vjet burgim.
Ky proces i madh gjyqësor lidhej me një operacion të autoriteteve belge kundër trafikut ndërkombëtar të drogës në vitin 2021, ku gjatë hetimeve dhe operacioneve të zhvilluara u sekuestruan rreth 32 tonë kokainë në përgjithësi.
Mes rreth 100 të arrestuarve, pas një hetimi të bazuar në zbërthimin e komunikimeve të koduara në platformat Sky ECC dhe EncroChat, ishte edhe Eridian Munoz Guerrero.
Sipas hetimit belg, rrjeti ku ai bënte pjesë dyshohet se përdorte portet e Antverpit në Belgjikë, Roterdamit në Holandë, Hamburgut në Gjermani dhe Le Havres në Francë, për futjen e lëndëve narkotike në Evropë nga Amerika Latine. Pas përfundimit të procesit gjyqësor në Belgjikë, SPAK-u nisi hetimin pasuror ndaj Eridian Munoz Guerrero dhe personave të lidhur me të.
Kërkesa për konfiskimin e pasurive iu paraqit GJKKO-së në janar 2025, ndërsa vendimi u mor të mërkurën. Sipas vendimit të Gjykatës së Posaçme, 21 pasuritë do të konfiskohen dhe do t’i kalojnë shtetit, ndërsa për pesë pasuri të tjera gjykata vendosi ta heqë masën e sekuestrimit së vendosur më herët me kërkesë të SPAK.
Hetimi pasuror i SPAK ka arritur në përfundimin se pasuritë e sekuestruara nuk justifikohen me burime të ligjshme financiare dhe dyshohet se lidhen me veprimtari kriminale të personave të dënuar dhe personave të lidhur me ta. Në listën e pasurive të konfiskuara përfshihen apartamente, njësi shërbimi, troje në Vlorë dhe Tiranë, automjete dhe llogari bankare.
Pasuritë e konfiskuara do të administrohen nga Agjencia për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara.
Sipas hetimit të SPAK-ut, personat e tjerë të përfshirë në procedurën e konfiskimit dyshohet se kanë shërbyer si persona të lidhur me çiftin e dënuar në Belgjikë, duke regjistruar në emër të tyre pasuri për të cilat autoritetet dyshojnë se lidhen me veprimtarinë kriminale të këtij rrjeti./ REL
