Senati i Shteteve të Bashkuara ka votuar me shumicë dërrmuese për të avancuar një projektligj që parashikon forcimin e sanksioneve ekonomike ndaj Rusisë dhe Iranit, në një lëvizje që konsiderohet si një nga sinjalet më të forta të mbështetjes për Ukrainën. Projektligji mori 86 vota pro dhe 12 kundër, duke siguruar mbështetje dypartiake në Senat.
Ai i jep presidentit amerikan autoritetin të vendosë tarifa deri në 200 për qind ndaj vendeve që vazhdojnë të blejnë naftë dhe gaz natyror rus, si dhe zgjeron sanksionet ndaj institucioneve financiare, elitës politike dhe rrjetit të transportit të naftës së Rusisë.
Pak para votimit, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky zhvilloi një takim me senatorët amerikanë, ku bëri thirrje për miratimin e projektligjit dhe kërkoi vazhdimin e mbështetjes ushtarake për Ukrainën, veçanërisht në fushën e mbrojtjes ajrore.
Ligjvënësit amerikanë e cilësuan projektligjin si një mjet për të kufizuar burimet financiare që, sipas tyre, përdoren nga Moska për të financuar luftën në Ukrainë. Megjithëse projektligji ka kaluar fazën procedurale në Senat, ai duhet të miratohet përfundimisht nga kjo dhomë dhe më pas të shqyrtohet edhe nga Dhoma e Përfaqësuesve përpara se të shndërrohet në ligj.
Nëse miratohet, paketa pritet të rrisë ndjeshëm presionin ekonomik ndaj Rusisë dhe të zgjasë njëkohësisht sanksionet amerikane ndaj Iranit deri në vitin 2031. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
