Në fshatin Kalludër e Vogël të Zubin Potokut kanë vazhduar edhe sot, , gërmimet në kërkim të mbetjeve të tjera mortore dhe për identifikimin se kujt u përkasin ato që janë gjetur në këtë zonë.
Procesi i cili ka filluar të martën po zhvillohet me kërkesë të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës dhe me urdhër të Gjykatës së Prishtinës për zhvarrosje, autopsi dhe identifikim të mbetjeve mortore. Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka vizituar sot zonën ku po dyshohet se është një varrezë masive.
Gërvalla tha se duhet të rritet presioni ndaj Serbisë për të hapur arkivat për të dorëzuar të gjithë të pagjeturit dhe për të siguruar që gjëra të tilla nuk ndodhin më. “Është e tmerrshme që edhe 27 vjet pas çlirimit të vendit tonë kemi mbi 1 mijë e 500 persona të pagjetur.
Kemi më shumë se 1 mijë e 500 familje të cilat çdo ditë rrijnë me kokën nga dera në pritje që dikush t’ua sjell lajmin që të paktën janë gjetur familjarët e tyre”- deklaroi Gërvalla. Ministrja në detyrë shtoi se nuk është koha për spekulime dhe fjalë të mëdha, mirëpo siç tha ajo, duhet të lihen profesionistët ta bëjnë punën e tyre.
Pjesëtarë të Policisë së Kosovës dhe të EULEX-it janë kujdesur për sigurinë gjatë ekzaminimeve në vendin e dyshuar. Në aksion kanë marrë pjesë edhe zyrtarë të Institutit të Mjekësisë Ligjore, të Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur dhe të sektorit për Hetimin e Krimeve të Luftës.
Gjykata e Prishtinës i ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji dy të pandehurve me inicialet M.J. dhe M.B., të cilët dyshohen për krime lufte kundër popullatës civile. Që nga përfundimi i luftës së viteve 1998-1999 në Kosovë vazhdojnë të jenë të zhdukur mbi 1,500 persona.
Me 11 identifikimet që janë kryer në muajin mars 2025, aktualisht sipas Komisionit Qeveritar për të Pagjeturit në Kosovë janë edhe 1,577 persona të cilët konsiderohen të zhdukur nga lufta e fundit në Kosovë.
Për masakrat dhe krimet e tjera të luftës dhe krimet kundër njerëzimit të kryera në Kosovë nga forcat serbe e jugosllave gjatë luftës së viteve 1998/1999 ishin gjykuar, e disa edhe dënuar, ish-udhëheqësit më të lartë politikë dhe ushtarakë të Jugosllavisë së mbetur dhe të Serbisë.
Gjykimi i tij në Gjykatën ndërkombëtare penale për ish-Jugosllavinë (ICTY), me seli në Hagë, nuk kishte marrë epilog pasi Millosheviq kishte vdekur më në qeli teksa po mbahej në paraburgim. Millan Millutinoviq, ish-kryetari i Serbisë, ishte liruar nga akuzat për krime lufte gjatë konfliktit në Kosovë.
Nikolla Shainoviq, zëvendëskryeministër i Republikës Federale të Jugosllavisë, ishte dënuar me 18 vjet burg për krime kundër njerëzimit dhe shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës. Dragolub Ojdaniq, ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë jugosllave, ishte dënuar me 15 vjet burg për krime kundër njerëzimit.
Nebojsha Pavkoviq, ish-komandanti i Armatës së Tretë të Ushtrisë jugosllave, ishte dënuar me 22 vjet burg për krime kundër njerëzimit dhe shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës. Vlladimir Llazareviq, ish-komandanti i Korpusit të Prishtinës të Ushtrisë jugosllave, ishte dënuar me 14 vjet burg për krime kundër njerëzimit.
Sreten Llukiq, ish-shefi i stafit të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë për Kosovë, ishte dënuar me 20 vjet burg për krime kundër njerëzimit dhe shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës. Aktgjykimin të plotë, në gjuhën angleze, e gjeni KËTU.
