Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Mitrovica” ka reaguar pas incidentit të ndodhur gjatë kryerjes së detyrave zyrtare nga punonjësit e saj në terren, ku dyshohet se ndaj ekipit është përdorur armë zjarri. Sipas njoftimit të kompanisë, incidenti ka ndodhur gjatë një aksioni për çkyçjen e një konsumatori i cili nuk kishte shlyer obligimet financiare ndaj ujësjellësit.
KRU “Mitrovica” ka bërë të ditur se konsumatori kishte qenë i furnizuar rregullisht me ujë, por pavarësisht njoftimeve dhe mundësive për pagesë ose marrëveshje për shlyerjen e borxhit, detyrimet nuk ishin përmbushur.
“Gjatë ndërmarrjes së veprimeve për çkyçjen nga rrjeti, punonjësit tanë janë përballur me sjellje të dhunshme, ku, sipas informacioneve të deritanishme, ndaj tyre është përdorur armë zjarri”, thuhet në reagimin e kompanisë. Nga KRU “Mitrovica” kanë bërë të ditur se, fatmirësisht, rasti ka përfunduar pa pasoja në njerëz.
Kompania ka dënuar çdo formë të dhunës dhe kërcënimit ndaj punonjësve gjatë kryerjes së detyrave të tyre, duke kërkuar nga Policia e Kosovës dhe Prokuroria që rasti të trajtohet me seriozitet dhe të merren masat e nevojshme ligjore.
Në fund, KRU “Mitrovica” u ka bërë thirrje konsumatorëve që obligimet financiare t’i përmbushin me kohë dhe çdo paqartësi apo mosmarrëveshje ta zgjidhin përmes rrugëve institucionale. “Dhuna ndaj punonjësve që kryejnë detyrën e tyre nuk mund dhe nuk do të tolerohet”, ka përfunduar reagimi i kompanisë. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
