Parlamenti italian ka miratuar një ligj të ri që mund t’u mundësojë mijëra personave me varësi nga droga ose alkooli që të vuajnë dënimet jashtë burgut, duke ndjekur programe rehabilitimi. Masa synon të ulë mbipopullimin e madh në burgjet italiane, të cilat sipas organizatave për të drejtat e të burgosurve funksionojnë me rreth 140 për qind të kapacitetit të tyre.
Ministri italian i Drejtësisë, Carlo Nordio, ka bërë të ditur se reforma mund të prekë më shumë se 10 mijë të burgosur me probleme të varësisë nga droga, ndërsa rreth 3 mijë e 700 persona me varësi nga alkooli mund të përfitojnë nga kjo mundësi.
Sipas ligjit të ri, personat që plotësojnë kushtet do të mund të qëndrojnë në shtëpi dhe njëkohësisht të marrin pjesë në programe trajtimi dhe rehabilitimi. Megjithatë, organizata “Antigone”, e cila merret me të drejtat e të burgosurve, ka shprehur rezerva për zbatimin e masës, duke paralajmëruar se kushtet dhe fondet në dispozicion mund të kufizojnë numrin real të përfituesve.
Kryeministrja italiane Giorgia Meloni e ka cilësuar reformën si një hap që do të ndihmojë në uljen e presionit mbi sistemin e burgjeve dhe në parandalimin e rikthimit në kriminalitet. Çështja e reformës së burgjeve mbetet e ndjeshme politikisht në Itali, veçanërisht para zgjedhjeve të ardhshme. Opozita e djathtë ka kritikuar masën, duke e konsideruar si një qasje tepër të butë ndaj krimit.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
