Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka deklaruar se dyshimi i parë i institucioneve është se mbetjet mortore të gjetura në fshatin Kalludër të Zubin Potokut mund t’u përkasin 23 intelektualëve të Mitrovicës, të zhdukur me dhunë në prill të vitit 1999.
Megjithatë, ai ka theksuar se identiteti i viktimave ende nuk është konfirmuar dhe se për këtë duhet pritur rezultatet e institucioneve përgjegjëse. “Ne nuk mund ta konfirmojmë që bëhet fjalë për ta, por ky ka qenë dyshimi ynë i menjëhershëm”, tha Kurti. Ai bëri të ditur se në vendngjarje janë duke punuar ekipet e Policisë së Kosovës, Institutit të Mjekësisë Ligjore dhe EULEX-it.
Kurti akuzoi Serbinë se po vazhdon të pengojë zbardhjen e fatit të personave të zhdukur, duke mos hapur arkivat ushtarake. Sipas tij, refuzimi për zbatimin e Deklaratës së Brukselit për personat e zhdukur dhe mospublikimi i dokumenteve ushtarake dëshmojnë mungesën e përgjegjësisë së Serbisë për krimet e luftës.
Në fund, ai u bëri thirrje faktorëve ndërkombëtarë që të rrisin presionin ndaj Beogradit për hapjen e arkivave dhe për të ndihmuar në zbardhjen e fatit të personave të zhdukur.
Gazeta Sinjali ka raportuar ekskluzivisht emrat e dy të dyshuarve, ku Momir Jakšić dhe Miljko Biševac, u ndaluan pas zbulimit të një varreze masive në Zubin Potok, ku janë gjetur mbetje mortore që dyshohet se u përkasin 23 intelektualëve nga Mitrovica, të ekzekutuar nga forcat serbe gjatë luftës në vitin 1999.
Ekskluzive | Këta janë të dyshuarit për masakrën e 23 civilëve shqiptarë në Kalludër të Zubin Potokut – zbulohet lokacioni i varrezës masive Prokuroria kërkon paraburgim për dy të dyshuarit lidhur me varrezën masive në Zubin Potok Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
