Gjendet i pajetë në banesë DJ ikonik francez Kavinsky, nisin hetimet

0%

Skena franceze dhe ndërkombëtare e muzikës elektronike është tronditur nga lajmi i ndarjes nga jeta të DJ-së dhe producentit francez Kavinsky, emri i vërtetë i të cilit ishte Vincent Belorgey. Ai ndërroi jetë në moshën 50-vjeçare. Sipas Prokurorisë së Parisit, artisti u gjet i pajetë në banesën e tij të martën.

Autoritetet franceze kanë nisur hetimet për të përcaktuar shkakun e vdekjes, ndërsa burime zyrtare bëjnë të ditur se në vendngjarje nuk janë konstatuar shenja që të tregojnë për aktivitet kriminal. Kavinsky u bë i njohur në mbarë botën me hitin “Nightcall”, të publikuar në vitin 2010, të cilin e realizoi në bashkëpunim me Guy-Manuel de Homem-Christo, anëtar i grupit Daft Punk.

Kënga mori famë ndërkombëtare pasi u përfshi në kolonën zanore të filmit “Drive” (2011), me protagonist Ryan Gosling, duke u kthyer në një nga veprat më ikonike të muzikës synthwave dhe elektronike. Artisti francez performoi gjithashtu në ceremoninë e mbylljes së Lojërave Olimpike të Parisit 2024, ku ishte pjesë e programit artistik të eventit.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Gjatë karrierës së tij, Kavinsky publikoi dy albume studio, “OutRun” në vitin 2013 dhe “Reborn” në vitin 2022, ndërsa ishte një emër i njohur në skenën ndërkombëtare të muzikës elektronike, shkruan Euronews.al.

Ai ishte planifikuar të ngjitej në skenë më 8 gusht në Deauville, në kuadër të festivalit të muzikës elektronike Gärten on the Beach, koncert që tashmë nuk do të zhvillohet pas ndarjes së tij nga jeta. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

Burimi: sinjali.com