Mbi 2000 sportistë, Shqipëria fiton organizimin e “Golden Age Gym Festival 2028”

0%

Shqipëria ka fituar të drejtën për të organizuar eventin e rëndësishëm ndërkombëtar të gjimnastikës për të rritur “Golden Age Gym Festival 2028”, i cili do të zhvillohet në Tiranë. Vendimi u mor nga organizmi më i lartë europian i gjimnastikës pas aplikimit të Federatës Shqiptare të Gjimnastikës (FSHGJ), e cila u përzgjodh mes disa kandidaturave të vendeve europiane.

Ky sukses përbën një arritje të rëndësishme për sportin shqiptar dhe një mundësi të veçantë për promovimin e Shqipërisë edhe në aspektin turistik. Në këtë aktivitet pritet të marrin pjesë mbi 2000 sportistë dhe të ftuar nga vende të ndryshme të kontinentit.

Në takimin “online” të federatave europiane, Shqipëria u përfaqësua nga drejtuesit më të lartë të FSHGJ-së, KOKSH dhe përfaqësues të institucioneve sportive. Sekretarja e përgjithshme e FSHGJ-së, Elirjana Karaj, e cilësoi këtë vendim si një vlerësim për punën e bërë ndër vite nga Federata Shqiptare e Gjimnastikës.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

“Ky besim i dhënë Shqipërisë është rezultat i punës dhe përkushtimit të vazhdueshëm. Organizimi i këtij eventi është një mundësi historike për të promovuar gjimnastikën shqiptare dhe vlerat e vendit tonë në arenën ndërkombëtare ”, u shpreh Karaj.

Ajo vlerësoi gjithashtu rolin e presidentit të FSHGJ-së, Leonard Lulaj, për iniciativën dhe përpjekjet e tij në realizimin e këtij projekti, si dhe bashkëpunimin me institucionet sportive. FSHGJ, në partneritet me Komitetin Olimpik Shqiptar, Bashkinë e Tiranës, Ministrinë e Sportit dhe strukturat e tjera, do të punojë për realizimin me sukses të këtij eventi të madh europian.

“Golden Age Gym Festival 2028” pritet të jetë jo vetëm një festë e sportit të gjimnastikës, por edhe një mundësi për të prezantuar Shqipërinë si një destinacion sportiv dhe turistik në arenën ndërkombëtare.

Burimi: Bota Sot