Ish-trajneri i Italisë, Fabio Capello, ka kritikuar ashpër mundësinë e rikthimit të Roberto Mancinit në stolin e kombëtares italiane. Në një prononcim për mediat italiane, ai u shpreh se do ta konsideronte të pabesueshëm një rikthim të tillë, pas mënyrës se si Mancini u largua nga posti për të marrë drejtimin e Arabisë Saudite.
Më duket e pabesueshme që Mancini të rikthehet në stolin e Italisë pasi e la në atë mënyrë. Si mund të largohet dikush nga kombëtarja për të shkuar për paratë e Arabisë? ”, deklaroi Capello. Legjenda e futbollit italian komentoi edhe zhvillimet e fundit në Federatën Italiane të Futbollit, duke e cilësuar situatën si një “rrëmujë të madhe”.
Sipas tij, Italia ka nevojë për një trajner si Antonio Conte, ndërsa shtoi se Andrea Pirlo nuk u vlerësua siç duhej në garën për stolin e “Azzurrëve”. Deklaratat e Capellos pritet të ndezin edhe më shumë debatin rreth trajnerit të ardhshëm të kombëtares italiane.
