Ministrja në detyrë e Kulturës dhe Turizmit, Saranda Bogujevci, së bashku me zëvendësministren Nora Arapi Krasniqi, kanë zhvilluar një vizitë zyrtare në Komunën e Fushë Kosovës, ku janë pritur nga kryetari i komunës, Valon Prebreza.
Sipas njoftimit të Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit, gjatë takimit është diskutuar për projektet aktuale dhe mundësitë e bashkëpunimit ndërmjet ministrisë dhe komunës në fushën e kulturës dhe turizmit. Fokusi i diskutimeve ka qenë zhvillimi i infrastrukturës kulturore, si dhe krijimi i hapësirave më funksionale për zhvillimin e aktiviteteve kulturore dhe për shërbim të komunitetit.
Në kuadër të vizitës, ministrja Bogujevci dhe zëvendësministrja Arapi Krasniqi vizituan edhe Shtëpinë e Kulturës në Fushë Kosovë, ku u njohën nga afër me gjendjen dhe nevojat e këtij institucioni.
Ministria e Kulturës dhe Turizmit ka bërë të ditur se do të vazhdojë bashkëpunimin me komunat në realizimin e projekteve që synojnë zhvillimin e jetës kulturore dhe ruajtjen e infrastrukturës kulturore në të gjithë vendin.
