Një raport i fundit i Këshillit për Sigurinë Jashtë Vendit (OSAC), pjesë e Departamentit Amerikan të Shtetit, ka vlerësuar disa zhvillime pozitive në Shqipëri, por ka theksuar edhe sfidat që lidhen me korrupsionin, transparencën dhe forcimin e institucioneve.
Sipas raportit, proceset zgjedhore në Shqipëri kanë shënuar përmirësime në krahasim me vitet e kaluara, me zgjedhjet parlamentare të vitit 2025 që u zhvilluan në një klimë përgjithësisht të qetë.
Megjithatë, dokumenti evidenton se mbeten shqetësime për financimin e fushatave, përdorimin e burimeve publike dhe ndikimin e mundshëm të krimit të organizuar dhe korrupsionit në proceset politike.
Raporti i kushton vëmendje edhe rolit të institucioneve të drejtësisë, duke vlerësuar punën e Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) në luftën kundër korrupsionit dhe hetimin e rasteve të profilit të lartë.
Në vlerësimin e OSAC përmenden edhe disa raste të parregullsive gjatë proceseve zgjedhore, por ato janë konsideruar të izoluara dhe nuk kanë ndikuar në rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve.
Ndërkohë, raporti nënvizon nevojën për reforma të mëtejshme në sistemin zgjedhor dhe përmirësimin e zbatimit praktik të garancive ligjore, duke përfshirë trajtimin e personave të ndaluar për intervistim pa u arrestuar zyrtarisht.
Sipas vlerësimit amerikan, forcimi i institucioneve, rritja e transparencës dhe lufta kundër korrupsionit mbeten elemente kyçe për zhvillimin demokratik dhe sigurinë afatgjatë të Shqipërisë. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
