Fisnik Asllani vazhdon të jetë në listën e Barcelonës si një nga alternativat për repartin ofensiv, por transferimi i tij në “Camp Nou” mund të ndërlikohet nga zhvillimet e tjera në merkato. Sipas gazetës spanjolle “AS”, sulmuesi i Hoffenheimit po shqyrtohet nga klubi katalanas si një zëvendësues i mundshëm i Ferran Torresit, në rast se ky i fundit largohet gjatë verës.
Megjithatë, situata mund të ndryshojë nëse Yan Diomande e kompleton transferimin nga RB Leipzig te Real Madridi. Në rast të largimit të talentit nga Bregu i Fildishtë, Leipzig pritet t’i intensifikojë përpjekjet për transferimin e Asllanit. Klubi gjerman e sheh reprezentuesin e Kosovës si zëvendësues ideal dhe mund të veprojë me shpejtësi për ta siguruar atë.
Një lëvizje e tillë do t’ia vështirësonte ndjeshëm planet Barcelonës, e cila mund të mbetej pa njërin prej objektivave kryesorë për repartin ofensiv. Ndërkohë, raportohet se Leipzig kërkon 120 milionë euro për Diomanden, derisa Real Madridi po ofron rreth 100 milionë euro, plus bonuse.
Në këtë mënyrë, transferimi i mundshëm i Diomandes në Madrid mund të shkaktojë efekt zinxhir në merkato, duke e afruar Fisnik Asllanin drejt Leipzigut. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
