Dinko Horkash mund ta realizojë transferimin më të madh të karrierës këtë verë. Falë paraqitjeve të shkëlqyera me Las Palmas në ligën e dytë spanjolle, për të kanë shfaqur interes Celtic, Torino, Olympiacos dhe Levante. Sipas medias spanjolle “La Provincia”, Celtic është klubi më afër transferimit të Horkashit.
Las Palmas pritet të përfitojë nga shitja e tij nga 4 deri në 7 milionë euro, megjithëse fillimisht kishte kërkuar 10 milionë euro. Edhe mediat skoceze kanë raportuar për këtë transfer të mundshëm. Nëse realizohet, në derbin e famshëm mes Celtic dhe Rangers, do të përballeshin dy portierë kroatë. Kujtojmë se Ivor Pandur u prezantua më herët këtë muaj si portieri i ri i Rangersit.
Pas përditësimit të fundit të vlerave të lojtarëve nga Transfermarkt, vlera e Horkashit u rrit në 5 milionë euro. Me këtë vlerë ai u barazua me Dominik Kotarskin dhe u bë një nga portierët kroatë më të vlefshëm sipas këtij vlerësimi. Sipas Transfermarkt, Horkash është gjithashtu portieri më i vlefshëm në historinë e La Liga 2.
Vlera e tij u rrit pas një sezoni të shkëlqyer, ku ishte portieri i padiskutueshëm i Las Palmasit. Në kampionat ai luajti 41 ndeshje, pësoi 39 gola dhe në 14 ndeshje e mbajti portën të paprekur. Ai luajti edhe dy ndeshje në play-off për ngjitjen në elitën e futbollit spanjoll, por Las Palmas nuk ia doli, pasi në finale u mposht nga Málaga.
