Tri anëtare të Komisionit të Autoritetit të Konkurrencës kanë marrë paga vjetore – secila mbi 16 mijë euro – ndonëse për më shumë se 14 muaj nuk kanë marrë asnjë vendim. Hulumtimi disamujor i Kallxo Përnime ka zbardhur prapaskenat e bllokimit të punës në njërin prej institucioneve më të rëndësishme për ekonominë e vendit.
Sipas ligjit, Autoriteti i Konkurrencës mbron konkurrencën e lirë, lufton monopolet dhe marrëveshjet e ndaluara, që në gjuhën juridike njihen edhe si kartele. Por, që nga muaji prill i vitit 2025, Komisioni i Autoritetit të Konkurrencës nuk ka mbajtur asnjë mbledhje. Për rrjedhojë, asnjë inicim për hetim nuk është bërë.
Kryetare e bordit të Autoritetit të Konkurrencës është Neime Binaku-Isufi, nënkryetare Kaltrina Sela dhe anëtare Nafije Osdautaj. Dy anëtarët e tjerë të bordit, Salie Gashi-Loku dhe Florent Mehmeti, kishin dhënë dorëheqje në vitin 2025. Pagat që i morën përgjatë një viti, tri anëtaret e Komisionit i kanë deklaruar edhe në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit.
Kryetarja Neime Binaku-Isufi nuk ka pranuar të përgjigjet pse nuk ka thirrur mbledhje prej më shumë se 14 muajsh, ani pse Komisioni kishte kuorum. Ndërsa, përmes një përgjigjeje me shkrim, Autoriteti i Konkurrencës nuk ka dhënë shumë detaje, por ka konfirmuar se nga prilli i vitit 2025 nuk janë mbajtur mbledhjet e bordit.
“Funksionimi i Komisionit dhe mbajtja e mbledhjeve zhvillohet në përputhje me kërkesat ligjore për kuorum dhe standardet e integritetit institucional. Çështjet që lidhen me konfliktin e interesit trajtohen në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe opinionet e institucioneve kompetente” – thuhet në përgjigje.
Anëtarja Nafije Osdautaj e ka konfirmuar se mbledhjet nuk janë mbajtur për më shumë se një vit në Komisionin e Konkurrencës. Tutje, Osdautaj e ka konfirmuar, po ashtu, se pagën si anëtare e bordit e ka marrë çdo muaj. “Mbledhje? Jo, nuk na ka thirrë [Neime Binaku-Isufi] nga prilli i vitit 2025.
As s’na kanë njoftuar çka po ndodh në institucion…” – ka thënë Osdautaj në një bisedë për Kallxo Përnime. “I kam shkruar, i shkruaj vazhdimisht, ‘të lutem thirre mbledhjen se ka kuorum’. Kohën e fundit fare nuk kthen përgjigje ose ka thënë ‘unë e di çka bëj, unë jam kryetare’.
Rrogat natyrisht i marrim se neve na shkarkon Kuvendi edhe asnjë të vetmin gabim, as shkelje nuk e kam” – ka thënë tutje anëtarja e Komisionit të Konkurrencës. Në anën tjetër, nënkryetarja Kaltrina Sela ka akuzuar kryetaren Neime Binaku-Isufi për situatën e krijuar, ku bordi nuk mban mbledhje dhe nuk merr vendime, ashtu siç e parasheh ligji. “Znj.
Neime Binaku Isufi, Kryetare e Autoritetit të Konkurrencës, në vazhdimësi ka penguar punën time si Nënkryetare e Komisionit të Autoritetit të Konkurrencës që nga muaji nëntor i vitit 2024, duke më pamundësuar ushtrimin e funksionit të nënkryetares” – ka thënë Kaltrina Sela. “Përveç meje, znj. Binaku Isufi i ka penguar ushtrimin e funksionit edhe anëtaren tjetër të Komisionit, znj.
Nafije Osdautaj, që nga muaji maj i vitit 2025, pra në mënyrë arbitrare dhe pa asnjë autorizim ligjor, znj. Binaku Isufi e pengon ushtrimin e funksionit të anëtarëve të Komisionit” – ka deklaruar ajo. Gjatë një bisede në zyrën e tij, për Komisionin e Autoritetit të Konkurrencës ka folur drejtori i përgjithshëm i këtij institucioni, Selajdin Beqa.
“Komisioni janë veç t’u marrë paga edhe vijnë… kjo vijnë është kur t’ju bjen koha ose kur kanë kohë me ardh me bë naj insinuatë, naj stisje, naj organizim, naj puç, naj kështu se, nuk punon, përveç kryetares që i bën do takime” – ka thënë Selajdin Beqa.
Hulumtimi disamujor i Kallxo Përnime ka zbuluar se për më shumë se një vit, institucioni që duhet të mbrojë konkurrencën në treg nuk ka marrë vendime, ndërsa dhjetëra përqendrime biznesesh janë lejuar automatikisht.
