Portreti politik e diplomatik i Skënderbeut, kryqtarit të fundit

0%

Nga: Nail Draga Shpërndaje në: Skënderbeu nuk ishte thjesht një luftëtar i zakonshëm, por një mendimtar dhe kryqtari i fundit që përfaqësonte Evropën në luftën kundër Perandorisë Osmane.

Duke lexuar studimin “Gjergj Kastrioti Skënderbeu – Kryqtari i Fundit, “Fast Track Albania”, Tiranë, 2018, del qartë se Skënderbeu nuk ishte faktor periferik në luftën kundër Perandorisë Osmane, por e kundërta, me peshë të madhe, sepse duke mbrojtur Arbërinë, ai mbronte edhe të tjerët, që është dëshmuar në praktikë me aleancat e ndryshme si dhe ndihmat jo vetëm ushtarake.

Autori na ofron të dhëna me interes, jo vetëm vit pas viti, por muaj pas muaji duke na ofruar një ditar diplomatik si askush deri më tash.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

As titulli “Kryqtari i fundit” nuk është i rastësishëm Në gamën e gjerë të studimeve dhe botimeve të veçanta që kanë të bëjnë me personalitetin e Heroit Kombëtar Gjergj Kastrioti – Skënderbeu është edhe një libër interesant shkruar nga Virgjil Kule, me titull “Gjergj Kastrioti Skënderbeu – Kryqtari i Fundit”, botuar nga “Fast Track Albania”, Tiranë, 2018.

Kemi të bëjmë me botimin e dytë sepse botimi i parë nga OMBRA-GVG, është botuar në vitin 2011. Është një libër të veçantë si për nga konceptimi, përmbajtja dhe rrëfimi kushtuar veprimtarisë politike e diplomatike të Heroit Kombëtar si askush deri më sot nga një autor shqiptar.

Autori trajton çështje të jetës dhe veprimtarisë së Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, duke u përqendruar në aspektet më të rëndësishme të karrierës së tij: nga dalja e tij në skenën politike, deri tek organizimi i qëndresës shqiptare kundër osmaneve, si dhe lidhjet me fuqitë evropiane të kohës.

Nuk ka dilemë se ky studim përpiqet të ofrojë një pasqyrë të Skënderbeut për krijimin e një shteti shqiptar të pavarur, ku në saje të literaturës së konsultuar, por edhe të dokumenteve të prezantuara del qartë roli i Skënderbeut në koalicionin e madh ushtarak (kryqëzatë) të Evropës Perëndimore kundër dyndjes osmane në shekullin XV.

Dhe nuk ka se si të jetë ndryshe, sepse Skënderbeu për një çerek shekulli ishte mburojë e Evropës nga invazioni i Perandorisë Osmane. Me angazhimin politik, diplomatik e ushtarak, Skënderbeu e dëshmoi në praktikë mbrojtjen e civilizimit shqiptar, që ishte identik me atë evropian.

Kur analizohet roli dhe kontributi i Skënderbeut në shekullin XV, duhet cekur se në këtë periudhë kohore ishin arbërit përkatësisht Arbëria e cila ka sakrifikuar shumë në mbrojtje të identitetit për të mbijetuar të lirë në trojet autoktone. Por, një sfidë e tillë nuk ka qenë e lehtë, ku Skënderbeu me mjeshtri politike e diplomatike sfidoi rrethanat e kohës.

Ditari diplomatik Nga momenti i kthimit të Skënderbeut dhe vendosja e pushtetit në Krujë me e deri sa vdiq me , autori na ofron të dhëna me interes, jo vetëm vit pas viti, por muaj pas muaji duke na ofruar një ditar diplomatik si askush deri më tash.

Pikërisht një qasje e tillë i mundëson lexuesit për të ndjekur evoluimin e ngjarjeve dhe për të kuptuar më mirë portretin e Skënderbeut në shumë aspekte, ku në rastin konkret parësore janë veprimtaria politike e diplomatike, duke mos anashkaluar as atë ushtarake.

Sepse sipas autorit, Skënderbeu nuk ishte thjesht një luftëtar i zakonshëm, por një mendimtar dhe kryqtari i fundit që përfaqësonte Evropën në luftën kundër Perandorisë Osmane.

Aleancat për mbijetesë Në rrethana të tilla shoqërore e në veçanti ushtarake Skënderbeu krahas Frontit Verior të Danubit, ai krijoi Frontin e Dytë në Ballkanin Perëndimor, duke i bërë pengesë depërtimit të turqve në këtë pjesë të Evropës Juglindore. Ndonëse shqiptarët për nga numri ishin të paktë, në saje të Skënderbeut kanë luajtur një rol të rëndësishëm në mbrojtje të vlerave evropiane.

Një veprim i tillë ka kushtëzuar fillimisht arritjen e bashkimit të principatave të shqiptarëve, që është realizuar më , që njihet me emrin Besëlidhja e Lezhës, ndërsa më pas ka pasur edhe aleancë me të tjerët ku kanë dominuar ata nga vendet italike, si Venediku, Mbretëria e Napolit, Papa i Romës, Hungaria etj.

Mjeshtër i diplomacisë Në sajë të moshës dhe të përvojës, në rrethana të reja shoqërore është për t´u vlerësuar mjeshtëria e Skënderbeut i cili është veçuar me diplomaci duke shfrytëzuar situatat e konfliktuale sidomos ato ndëritalike, për të siguruar paqe dhe stabilitet politik jo vetëm në Arbëri por edhe me gjerë në regjion.

Duke lexuar këtë studim del qartë se Skënderbeu nuk ishte faktor periferik në luftën kundër Perandorisë Osmane, por e kundërta, me peshë të madhe, sepse duke mbrojtur Arbërinë, ai mbronte edhe të tjerët, që është dëshmuar në praktikë me aleancat e ndryshme si dhe ndihmat jo vetëm ushtarake.

Nuk ka dilemë se një veprim i tillë mund të realizohej në praktikë nga një burrë shteti i cili me mjeshtri ka shfrytëzuar potencialin politik dhe ushtarak të kryqëzatës, për të krijuar shtetin shqiptar në trajtë mbretërie, nën dinastinë e Kastriotëve.

Ky mision, krahas gjenialitetit ushtarak, lypte edhe një talent të jashtëzakonshëm për jurisprudencë dhe diplomaci, të cilat në këtë botim lexuesve u ofrohen nga autori i këtij botimi, i cili me të drejtë quhet ditar diplomatik.

Kontribut studimeve historike Nga ajo që u tha më lartë libri “Gjergj Kastrioti Skënderbeu-Kryqtari i Fundit“ nga Virgjl Kule, paraqet kontribut me vlerë në studimet historike kushtuar Heroit tonë Kombëtar. Autori me kompetencë profesionale ka trajtuar çështjet historike të mesjetës shqiptare duke ofruar të dhëna me interes për opinionin e gjerë shkencorë e kulturor.

Kryesisht kemi të bëjmë me aspektet politike e diplomatike të Skënderbeut, që deri më tash nuk janë trajtuar në këtë formë nga asnjë autor shqiptar. Për përgatitjen e këtij botimi autori krahas literaturës historike ka shfrytëzuar edhe dokumente arkivore, duke i komentuar varësisht prej ngjarjeve të kohës, ndërsa gjuha e stili i shkrimit dëshmojnë qasjen intelektuale të autorit.

Libri me të drejtë quhet ditar diplomatik, sepse lënda trajtohet në diakroni e sinkroni sipas viteve përkatëse(1443-1467), madje edhe sipas muajve e javëve duke ofruar të dhëna me interes me përmasa shoqërore e historike për Arbërinë si asnjë botim deri më tash.

Në këtë botim prezantohen fakte dhe analiza historike që hedhin dritë mbi shumë aspekte të jetës së Skënderbeut që më së shumti nuk kanë qenë të njohura për opinionin e gjerë.

Sfidanti i kohës Vetëm pas leximit të këtij libri çdo kush do ta ketë të qartë se në çfarë rrethanash është përballuar Skënderbeu i cili me mjeshtëri ia arriti të përballojë sfidat, për një çerek shekulli, ndaj perandorisë më të madhe të kohës. Autori e përshkruan Skënderbeun si një individ të zgjuar, të aftë dhe me një vizion të qartë për të ardhmen e vendit të tij dhe Evropës.

Autori e prezanton atë jo vetëm si një hero kombëtar, por edhe si një figurë komplekse dhe ndërkombëtare me ndikim të madh në fatin e kontinentit.

Duke lexuar këtë libër, lexuesi ka mundësi të kuptojë rrethanat gjeopolitike në regjion, ku Skënderbeu ndonëse i vetëm dhe pa përvojë shtetërore me mjeshtëri diplomatike arriti të bashkëpunojë me aleatët duke e bërë Arbërinë të pamposhtur për një çerek shekulli, kundër Perandorisë Osmane.

Një përmasë e veçantë e diplomacisë së Skënderbeut është çështja e krushqisë me personalitete të njohura familjare, dukuri që ishte njohur jo vetëm në mesjetë. Një veprim i tillë nuk ka dilemë se e kishte të imponuar për të stabilizuar pushtetin dhe forcuar raportet me principatat e kohës.

U mbetet studiuesve që këtë çështje ta trajtojnë me seriozitet, sepse deri më tash vetëm sa janë cekur si raste e jo ndonjë hulumtim i veçantë sociologjik. Ndërsa titulli “Kryqtari i fundit” nuk është i rastësishëm sepse Gjergj Kastrioti Skënderbeu luajti rol të rëndësishëm në luftën kundër osmanëve, duke e shndërruar atë në një simbol të rezistencës evropiane ndaj Perandorisë Osmane.

Skënderbeu është parë shpesh si një kryqtar i fundit, duke qenë një nga të fundit prijës të krishterë që ndërmori luftëra të hapura kundër pushtimeve osmane në Ballkan. Kjo e ka ngritur atë në një figurë epike të historisë shqiptare dhe evropiane.

Përfundim Dhe në fund cekim se libri nga gazetari, publicisti dhe studiuesi Virgjil Kule është si rezultat i një pune serioze disavjeçare plot pasion e profesionalizëm, është i mirëseardhur për të gjithë lexuesit e pasionuar ndaj botimeve historike e në veçanti për personalitetin e Heroit Kombëtar, sepse plotëson njohuritë në aspektin politik e diplomatik.

Nga të dhënat e ofruara në këtë studim del qartë se politika dhe diplomacia e Skënderbeut ka qenë dhunti e veçantë duke qenë model për kohën e më pas, por fatkeqësisht e panjohur sa duhet deri në ditët tona.

Ndërsa në sajë të çështjeve të trajtuara, ky botim duhet të jetë i obligueshëm jo vetëm për studentët e historisë, e sidomos për ata që sociologjinë politike e kanë si përcaktim profesional, sepse kemi të bëjmë me studimin më të veçantë në botimet e deritashme albanologjike.

Burimi: Koha