Në Divjakë të Shqipërisë është finalizuar një operacion policor i koduar si “Game Over” ku si cak ishin veprimtaritë e paligjshme të lojrave të fatit. Për një lokal, Policia tregon se ishte përshtatur për zhvillimin e lojërave të fatit përmes kompjuterëve. Pronari i lokalit dhe një kamarier i punësuar në mënyrë të paligjshme janë arrestuar lidhur me këtë rast.
Policia e Shtetit ka njoftuar se janë sekuestruar edhe pesë kompjuterë, një DVR, një laptop dhe pesë telefonë celularë. “Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomike, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Divjakë, në kuadër të operacionit policor të koduar “Game Over”, ushtruan kontrolle në lokale dhe ambiente të ndryshme që dyshoheshin se përdoreshin për organizimin e lojërave të fatit.
Si rezultat i kontrolleve, u evidentua një rast i kësaj veprimtarie të paligjshme.”- ka njoftuar mes tjerash Policia e Shtetit. Sipas Policisë së Shtetit, A. Ç 52 vjeçar u kap në flagrancë pasi në lokalin e tij në fshatin Karavasta e Re të Divjakës dyshohet se organizoheshin lojërat e fatit përmes kompjuterëve dhe telefonave celularë. “Gjithashtu, u arrestua në flagrancë shtetasi E.
Ç., 35 vjeç, kamarier në këtë lokal. Gjatë kontrollit të ushtruar në aparatin celular të tij u konstatuan faqe të ngjashme me ato të basteve sportive.”- njoftoi Policia. Materiale i janë dërguar Prokurorisë për veprime të mëtutjeshme.
