Në Ditën Memoriale për policët e rënë në detyrë, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka vizituar familjen e Heroit të Kosovës, Enver Zymeri. Pas vizitës te familja, ai shkoi edhe në fshatin Vragë të Zubin Potokut, me ç’rast bëri homazhe të lapidari i ngritur në vendin e rënies së heroit. Zymeri, më , ishte vrarë gjatë një operacioni në veriun e Kosovës.
“Faleminderit të gjithë policëve të rënë në krye të detyrës. Është nder por edhe obligim i yni që t’i marrim këta si shembull të gjithë ne që jemi zyrtarë shtetërorë për nga sakrifica edhe vetëmohimi.”- ka deklaruar Kurti.
Ai ka shtuar se duke ju falënderuar Enver Zymerit, Afrim Bunjakut dhe kolegëve të tyre që vendosën sundim të ligjit, paqe e siguri pa dallim për të gjithë, sot veriu i Kosovës është ndryshe.
“Sot janë bërë 15 vjet prej rënies heroike të Enver Zymerit, por njëkohësisht këto ditë e shënojmë edhe 20-mujorin e hedhjes në erë të kanalit Ibër – Lepenc i cili furnizon me ujë më shumë se gjysmën e Republikës sonë, e poashtu edhe termoelektranat në Obiliq, të cilat na furnizojnë me energji elektrike.”- ka shtuar Kurti.
Derisa ka thënë se për rastin në kanalin e Ibër-Lepencit tre persona janë të burgosur dhe ka proces të drejtësisë kundër tyre, për urdhërdhënësit dhe vrasësin e Zymerit drejtësia duhet të veprojë e të mos lejojë që asnjë kriminel të mbijetojë i pandëshkuar. Për këtë, Kurti ka thënë se Prokuroria dhe Gjykatat kanë mbështetjen e tij.
Më , kampi i njësive speciale të Policisë së Kosovës në Mitrovicë mori emrin e Heroit Enver Zymeri. Gjatë kësaj dite kryeministri në detyrë, Albin Kurti, bashkë me ushtruesen e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, drejtorin e Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, dhe përfaqësues të tjerë institucionalë, bënë homazhe te memoriali i zyrtarëve policorë të rënë në krye të detyrës.
Kurti kishte theksuar se Zymeri po mbronte rendin kushtetues, integritetin territorial dhe sigurinë e qytetarëve, duke shtuar se sakrifica e tij frymëzoi breza të tërë policësh.
Duke folur për zhvillimet në veri, Kurti kujtoi largimin kolektiv të rreth 550 policëve serbë në nëntor të vitit 2022, duke thënë se synimi për të dëmtuar funksionimin e Policisë dhe institucionet e Kosovës dështoi.
”Përveç vrasjes së Enver Zymberit dhe të Afrim Bunjakut, Policia e Kosovës përjetoi një goditje të rëndë pikërisht më datën 5 nëntor të vitit 2022, atëherë kur afër 550 policë të komunitetit serb u tërhoqën në mënyrë kolektive në veri të Ibrit me urdhër të Beogradit.
Mirëpo qëllimi i tyre dështoi meqenëse nuk është rrënuar shumë etnia si përbërje e policisë tonë, dhe as nuk është cenuar sovraniteti shtetëror, integriteti territorial dhe stabiliteti institucional siç kanë synuar ata”- tha Kurti. “Republika e Kosovës është më e sigurt se kurrë më parë edhe për shkak se Policia e Kosovës është më e fortë se kurrë më parë” – shtoi ai.
Kurti theksoi se gjatë 25 viteve të fundit, 25 zyrtarë policorë kanë rënë në krye të detyrës, duke nderuar sakrificën e tyre dhe duke i cilësuar si shembull të përkushtimit në shërbim të shtetit dhe qytetarëve.
