Kurti: Adem Demaçi e ‘kishte vrarë vdekjen’, simbol i qëndresës

0%

Kurti në tetëvjetorin e vdekjes së Adem Demaçit: “E kishte vrarë vdekjen” Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, bashkë me ushtruesen e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, kanë bërë homazhe dhe kanë vendosur lule te varri i veprimtarit të çështjes kombëtare shqiptare, Adem Demaçi, në tetëvjetorin e ndarjes së tij nga jeta.

Pas homazheve, Kurti e cilësoi Demaçin si simbol të qëndresës dhe rezistencës ndaj regjimit jugosllav e serb, duke theksuar se ai mbeti i palëkundur në idealet e tij, pavarësisht 28 vjetëve të kaluara në burg. “Adem Demaçi është shembulli i pathyeshmërisë dhe përjetësisë. Ai u rrit, mbajti 28 vjet burg, vazhdoi jetën duke mos u lëkundur asnjëherë nga rruga dhe idealet që kishte nisur.

Baca Adem e kishte kuptuar dialektikën e jetës ngaqë nuk i frikësohej vdekjes. Ai jetonte mes lirisë dhe burgut. Vuajtjet i kthente në forcë, dhuna ia farkëtonte rezistencën, teksa vepra i bëhej e pavdekshme. Ai e ‘kishte vrarë vdekjen’”- deklaroi Kurti.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Adem Demaçi kaloi gjithsej 28 vjet në burgjet e ish-regjimit jugosllav dhe serb, në tri dënime të ndara: fillimisht tre vjet, më pas dhjetë vjet dhe herën e tretë pesëmbëdhjetë vjet. Për angazhimin e tij në mbrojtje të të drejtave të njeriut dhe lirisë së mendimit, në vitin 1991 ai u nderua nga Parlamenti Evropian me çmimin “Sakharov”.

Demaçi ishte gjithashtu përfaqësues politik i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe një nga figurat më të njohura të lëvizjes kombëtare shqiptare.

Burimi: Kallxo