“Kthehu në vendin tënd”: Migrantët përballen me presion për t’u larguar nga Afrika e Jugut

0%

Nga: BBC Përktheu:

Blerta Haxhiu Shpërndaje në: Ndërsa afrohet 30 qershori, afat i vendosur nga grupet e emigracionit, për largim të migrantëve nga Afrika e Jugut, mijëra migrantë po jetojnë mes frikës, kërcënimeve dhe pasigurisë.

Shumë prej tyre po largohen vullnetarisht nga vendi, ndërsa organizatat për të drejtat e njeriut paralajmërojnë për rritjen e tensioneve dhe rrezikun e shpërthimit të dhunës ndaj të huajve. Afrika e Jugut po bëhet gjithnjë e më armiqësore ndaj migrantëve pa dokumente, ndërsa po afrohet afati i vendosur nga protestuesit që ata të largohen nga vendi.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

“Jam shumë e frikësuar dhe e traumatizuar”, tha për BBC-në 36-vjeçarja malaviane, Esnat Joseph, teksa përpiqej të qetësonte tri foshnjat e saj njëvjeçare që po qanin. Ajo u detyrua të largohej nga shtëpia e saj në një lagje më të varfër në qytetin portual Durban, në provincën KwaZulu-Natal.

Bashkë me mijëra të huaj të tjerë, kryesisht nga Malawi, ajo gjeti strehim në një fushë të hapur, ku prej dy javësh janë grumbulluar rreth 7 mijë persona me sendet e tyre personale. “Njerëzit erdhën në shtëpinë time dhe më thanë: ‘Duhet të largohesh. Nuk duam që ju të qëndroni më këtu. Kthehu në vendin tënd’”, tregoi ajo.

Sipas saj, grupi përbëhej nga rreth 10 burra afrikano-jugorë të armatosur me hanxharë dhe kamxhikë. “Ata e goditën burrin tim në kokë dhe në qafë. E kapën nga qafa sikur donin ta vrisnin. Falë Zotit ai mbijetoi, por tani ndodhet në spital”, shtoi ajo.

Edhe shumë persona të tjerë që ndodhen në këtë kamp të improvizuar, ku organizatat humanitare po shpërndajnë batanije dhe ushqime, raportojnë raste të ngjashme kërcënimesh dhe frikësimesh derë më derë.

“Le të largohen” Kjo situatë vjen pas një serie protestash, kryesisht paqësore, të organizuara gjatë këtij viti nga grupi kundër emigracionit “March and March”, partia opozitare “ActionSA” dhe organizata të tjera. Këto grupe kanë vendosur datën 30 qershor si afatin e fundit për largimin e migrantëve pa dokumente nga Afrika e Jugut.

Gjatë protestave, pjesëmarrësit kanë marshuar me shkopinj në duar dhe kanë brohoritur “Mabahambe”, një shprehje në gjuhën zulu që do të thotë: “Le të largohen”. Ndërsa afati po afrohet, presidenti i Afrikës së Jugut, Cyril Ramaphosa, paralajmëroi se fajësimi i njerëzve më të pambrojtur nuk është zgjidhja për problemet e ndërlikuara ekonomike të vendit.

Esnat Joseph kishte ardhur në Afrikën e Jugut tri vjet më parë dhe punonte si ndihmëse shtëpie para se të bëhej nënë. Statusi i saj ligjor nuk është i qartë. Ajo thotë se i humbi pasaporta dhe dokumentet e tjera pasi u grabit.

Tani shpreson të kthehet në Malawi me një nga autobusët që po organizon konsullata e Malawit, me ndihmën e donacioneve, për të transportuar qytetarët e saj që duan të largohen nga Durban. Edhe shtete të tjera afrikane, si Gana, Mozambiku, Nigeria dhe Zimbabveja, kanë organizuar javët e fundit kthimin e qytetarëve të tyre me autobusë ose avionë.

Deri tani, rreth 3.500 të huaj kanë zgjedhur të largohen vullnetarisht. Autoritetet afrikano-jugore deklaruan se më shumë se 500 nigerianët e riatdhesuar së fundmi qëndronin ilegalisht në vend, megjithëse kjo u kundërshtua nga autoritetet nigeriane.

Benjamin, një nigerian që u kthye në Lagos javën e kaluar pas afro nëntë vjetësh në Afrikën e Jugut, tha për BBC-në se “afrikano-jugorët nuk i pëlqejnë të huajt, veçanërisht nigerianët”. “Afrika e Jugut nuk është vend ku mund të jetosh i qetë. Është një vend ku mund të humbasësh jetën në çdo moment”.

Organizatorët e protestave mohojnë se veprimet e tyre janë të motivuara nga urrejtja ndaj të huajve. Ata thonë se janë të lodhur nga emigrantët afrikanë që, sipas tyre, po abuzojnë me sistemin dhe po paraqiten si viktima.

“Nëse hyn në Afrikën e Jugut me një pasaportë që të lejon të qëndrosh 30 ditë, por vazhdon të qëndrosh 50 ditë, dy vjet apo pesë vjet, atëherë e di që po shkel ligjin”, tha Jacinta Ngobese-Zuma, drejtuese e lëvizjes “March and March”, gjatë një proteste në Durban. “Afrika e Jugut nuk mund të shndërrohet në një kamp të madh refugjatësh për të gjitha shtetet afrikane që kanë dështuar.

Çdo vend u jep përparësi qytetarëve të vet dhe ne duam që qeveria jonë të bëjë të njëjtën gjë”. Sipas të dhënave më të fundit, Afrika e Jugut është shtëpia e më shumë se tre milionë të huajve, që përbëjnë rreth 5% të popullsisë së vendit. Shumica e tyre vijnë nga shtetet fqinje të Afrikës Jugore.

Megjithatë, statistikat zyrtare nuk përfshijnë numrin e madh të migrantëve që besohet se jetojnë në vend pa dokumente të rregullta. Pikërisht kjo çështje është në qendër të pakënaqësisë së protestuesve. Zemërimi i tyre lidhet me vështirësitë ekonomike në rritje, ndërsa vendi përballet me papunësi të lartë te të rinjtë dhe pabarazi të theksuara sociale.

Afrika e Jugut ka një nga normat më të larta të papunësisë në botë. Sipas agjencisë zyrtare të statistikave, shkalla e papunësisë ka arritur në 32.7%, ndërsa vetëm në tremujorin e parë të vitit 2026 u shuan rreth 350 mijë vende pune, shumica e tyre të mbajtura nga të rinjtë.

Megjithatë, ekonomia më e zhvilluar e kontinentit afrikan vazhdon të tërheqë qytetarë nga vende më të varfra, të cilët shpesh rrezikojnë jetën për të shkuar në Afrikën e Jugut në kërkim të punës, si roje sigurie, punëtorë ndërtimi apo ndihmës shtëpiakë. Protestuesit, si Mecha Ramorola, argumentojnë gjithashtu se shërbimet publike janë nën presion të madh.

“Po hasim vështirësi për të regjistruar fëmijët në shkolla. Po hasim vështirësi për t’i futur të moshuarit në spitale”, tha Ramorola për BBC-në gjatë një marshimi në kryeqytetin Pretoria. Afati i fundit Megjithatë, ekziston frika se protestat mund të çojnë në një përsëritje të dhunës së vitit 2008, kur 62 persona humbën jetën gjatë trazirave, mes tyre edhe 21 afrikano-jugorë.

Mijëra njerëz u detyruan të largoheshin nga shtëpitë e tyre. Sulme të ngjashme kundër të huajve u regjistruan edhe në vitet 2015, 2016 dhe 2019. Muajin e kaluar, qeveria e Mozambikut deklaroi se pesë shtetas të saj ishin vrarë në sulme me motive ksenofobike në provincën Western Cape.

Ministri i Jashtëm i Afrikës së Jugut e kundërshtoi këtë pretendim, duke thënë se kishin humbur jetën vetëm dy shtetas mozambikas dhe se rrethanat e vdekjes së tyre po hetoheshin. Një rol të rëndësishëm në nxitjen e armiqësisë ndaj të huajve po luajnë edhe videot që qarkullojnë në rrjetet sociale.

Në një prej tyre, një shtetas ganez ngacmohet dhe kërcënohet nga protestues që i kërkojnë të kthehet në vendin e tij. Videoja bëri që Gana të thërriste ambasadorin e Afrikës së Jugut për të kërkuar mbrojtje më të mirë për shtetasit e huaj.

Një tjetër video shumë e shpërndarë tregon aktivistin Nkosikhona Ndabandaba, i njohur si Phakel’umthakathi, i cili ka rreth 1.4 milionë ndjekës në Facebook. Ai i afrohet një burri që qëndron pranë rrugës dhe e pyet për kombësinë e tij.

Kur burri përgjigjet se është nga Republika Demokratike e Kongos, Ndabandaba, i veshur me mbulesën tradicionale zulu në kokë, i thotë me ton të qetë, por pa pyetur për statusin e tij ligjor: “30 qershori është afati i fundit, por nuk do të thotë se duhet të largohesh atë ditë. Largohu që tani”.

Ndërkohë, edhe të huajt që jetojnë ligjërisht në Afrikën e Jugut thonë se po bëhen objekt i kërcënimeve dhe presioneve. Disa prej tyre kanë ngritur kampe pranë zyrave të Departamentit të Punëve të Brendshme në Durban, duke kërkuar mbrojtje.

“Kam dokumente që njohin statusin tim si refugjate në Afrikën e Jugut, por megjithatë po na dëbojnë të gjithëve”, tha për BBC-në një grua nga Burundi, e cila ndodhej aty me katër fëmijët e saj. “Kam shumë frikë për jetën time. Edhe fëmijët janë të frikësuar. Nuk ka respekt. Kur kalon nëpër rrugë, njerëzit të fyejnë.

Fëmijët fyhen edhe në shkollë”, tregoi ajo, ndërsa ishte mbështjellë me një batanije për t’u mbrojtur nga i ftohti i dimrit në hemisferën jugore. Edhe aktivitetet e zakonshme të përditshme janë bërë të vështira për migrantët.

Një estetiste nga Malawi, e cila jeton prej 16 vjetësh në Kejp Taun pa dokumente të rregullta, tha për BBC-në se tashmë edhe shkuarja në dyqan mund të jetë frikësuese. Ajo tregoi se një ditë, teksa udhëtonte me bashkëshortin dhe vajzën e tyre nëntëvjeçare drejt një qendre tregtare, përjetuan një situatë shqetësuese në një taksi.

“Ishim vetëm ne të tre në makinë dhe shoferi filloi të na pyeste: ‘Ku i keni dokumentet? Nga vini? Flisni ndryshe nga ne’”. Gruaja tha se e kupton pse presidenti Cyril Ramaphosa ka paraqitur një plan veprimi për të luftuar emigracionin e paligjshëm, por theksoi se çdo qenie njerëzore, pavarësisht statusit ligjor, ka të drejtën të jetojë e sigurt dhe pa frikë.

“Fëmija im nuk po shkon më në shkollë sepse kemi frikë. Jemi të tmerruar nga ajo që mund të ndodhë”. Në një fjalim të posaçëm drejtuar kombit në fillim të këtij muaji, presidenti i Afrikës së Jugut, Cyril Ramaphosa, paralajmëroi se asnjë individ apo grup nuk ka të drejtë t’u kërkojë njerëzve në vende publike të provojnë kombësinë apo statusin e tyre ligjor.

“Nuk ka vend në Afrikën e Jugut për ksenofobinë, racizmin, seksizmin, afrofobinë apo çdo formë tjetër intolerance”, deklaroi ai, teksa prezantoi strategjinë pesëpikëshe të qeverisë së tij për trajtimin e krizës së migracionit.

Masat e propozuara përfshijnë refuzimin e kërkesave për azil nga personat që kanë kaluar më parë nëpër vende të tjera të konsideruara të sigurta, vendosjen e kuotave për natyralizimin e shtetasve të huaj dhe zgjerimin e sistemit të identifikimit digjital edhe për personat që nuk kanë shtetësi afrikano-jugore.

Po ashtu, parashikohen dënime me burg për punëdhënësit që punësojnë migrantë pa dokumente me paga më të ulëta se ato të përcaktuara me ligj. “Shpesh emigrantët punësohen në vende pune që qytetarët afrikano-jugorë nuk i pranojnë ose që paguhen më pak se standardet ligjore.

Kjo ndodh sepse ata janë në nevojë dhe janë më të ekspozuar ndaj shfrytëzimit”, shpjegoi për BBC-në profesori dhe analisti Shepherd Mpofu. Ramaphosa tha gjithashtu se qeveria do të forcojë luftën kundër korrupsionit brenda sistemit të emigracionit.

Një grua 36-vjeçare nga Malawi, që jeton në Johanesburg dhe kërkoi të mbetet anonime nga frika e hakmarrjes, tregoi për BBC-në se kishte hyrë në Afrikën e Jugut me vizë turistike. Sipas saj, prej vitesh u paguante ryshfet zyrtarëve kufitarë që t’i vulosnin pasaportën çdo disa muaj, pa qenë nevoja të largohej realisht nga vendi.

“Kam vendosur të kthehem për një kohë në Malawi dhe të mbyll sallonin tim të flokëve për shkak të kërcënimeve”, tha ajo, duke shtuar se shqetësimi më i madh ishte siguria e fëmijëve të saj të vegjël. Rritja e fundit e protestave po ndodh në një kohë kur partitë politike po përpiqen të fitojnë mbështetje përpara zgjedhjeve lokale që do të mbahen në nëntor.

Sipas kritikëve, disa politikanë po përhapin informacione të rreme ose të pasakta për të nxitur frikën dhe zemërimin ndaj migrantëve pa dokumente. Në rrjetet sociale po shpërndahen video të vjetra dhe pretendime të pabazuara që krijojnë konfuzion te publiku. Klimë pasigurie Një nga pretendimet më të përhapura është se në Afrikën e Jugut jetojnë 15 milionë migrantë pa dokumente.

Ky pretendim, i bërë fillimisht pesë vjet më parë nga Herman Mashaba, lider i partisë ActionSA dhe kandidat për kryetar bashkie në Johanesburg, është hedhur poshtë nga ekspertët, por vazhdon të rikthehet në debatin publik.

“Partitë politike po përpiqen t’i bindin njerëzit se të gjitha problemet tona shkaktohen nga migrantët dhe se, nëse ata largohen, problemet e Afrikës së Jugut do të zhduken. Kjo nuk është e vërtetë”, tha Sharon Ekambaram, avokate për të drejtat e njeriut dhe anëtare e lëvizjes “Kopanang Africa Against Xenophobia”.

Ajo theksoi se retorika kundër të huajve është shfaqur vazhdimisht në Afrikën e Jugut dhe zakonisht intensifikohet gjatë periudhave zgjedhore. Nga ana tjetër, qeveria vazhdon të theksojë se po vepron kundër migracionit të paligjshëm.

Grupi ministror përgjegjës për çështjet e migracionit deklaroi këtë javë se rreth 40 mijë emigrantë pa dokumente janë arrestuar gjatë këtij viti për shkelje të ligjit të emigracionit. Një nga operacionet më të dukshme të autoriteteve, i njohur si “Operation New Broom” (Operacioni Fshesa e Re), po zhvillohet në qendër të Johanesburgut.

Prej muajsh, ekskavatorët po shembin dyqane dhe struktura të improvizuara prej llamarine të ngritura përgjatë trotuareve. Autoritetet i konsiderojnë këto zona si pika ku mund të strehohen persona të përfshirë në aktivitete kriminale ose migrantë pa dokumente.

Gjatë një vizite në këto zona, migrantë nga Etiopia shikonin me dëshpërim shembjen e bizneseve të tyre, edhe pse kishin marrë paralajmërime paraprake nga autoritetet. Këto masa, së bashku me protestat e vazhdueshme, po bëjnë që shumë migrantë të ndihen gjithnjë e më të izoluar dhe të pasigurt.

Partia “uMkhonto we Sizwe” (MK), forca e tretë politike më e madhe në vend dhe e udhëhequr nga ish-presidenti Jacob Zuma, nuk e ka mbështetur zyrtarisht afatin e 30 qershorit për largimin e migrantëve, por pajtohet me frymën e kërkesave të protestuesve. “Të gjithë biem dakord se migrantët pa dokumente po shkelin ligjin.

Ata duhet të largohen nga vendi ynë në mënyrë paqësore, pa dhunë dhe pa frikësime”, deklaroi për BBC-në anëtari i partisë MK, Bonginkosi Khanyile. Megjithatë, në mbarë vendin ndihet një klimë e madhe pasigurie, veçanërisht pas deklaratës paralajmëruese të njërit prej figurave kryesore të protestave, Nkosikhona Ndabandaba.

“Më 30 qershor unë nuk mund t’i kontrolloj njerëzit e Afrikës së Jugut”, tha ai. Sipas raportimeve, në pikën kufitare me Mozambikun janë krijuar radhë të gjata automjetesh, ndërsa shumë të huaj po përpiqen të largohen nga vendi përpara afatit. Në kampin e improvizuar në Durban, shumë malavianë të frikësuar – shumica prej tyre pa dokumente, sipas autoriteteve – mezi presin të largohen.

Kur autobusi i parë mbërriti të dielën për të evakuuar një pjesë të tyre, turma nisi të këndonte në gjuhën zulu: “Siyahamba”, që do të thotë: “Po largohemi”.

Burimi: Koha