Gruaja e cila një ditë më parë u sulmua nga policia me ujë me piper, teksa kalonte pranë Parlamentit me të birin me spektrin autik, i është përgjigjur deklaratës së kryeministrit Edi Rama, i cili sot tha se ajo është përdorur nga ata protestues që kreu i qeverisë i cilëson si “sorra e korba”.
Në një video të publikuar nga gazetari Osman Stafa, ajo thotë se nuk ishte te Parlamenti si pjesë e protestës, por po kalonte aty rastësisht, teksa kthehej nga terapia e të birit. Ajo i është drejtuar kryeministrit duke i thënë: “Mos i hy në gjynah çunit”, ndërsa i kërkon të ballafaqohet me të për pretendimet e ngritura. “Unë nuk isha fare në protestë, po vija nga Kamza.
Çova çunin në terapi dhe rruga ishte bllokuar. Duke ardhur nga Parlamenti, më hodhën piper në sy. Rastësisht kalova. Të vijë të përballet me mua kryeministri, ja them në surrat. Të vijnë edhe policët. Te Parlamenti ishin zënë rrugët. Kur kalova në mëngjes ishte hapur, kur u ktheva ishte bllokuar. Na hodhën piper në sy. A i hidhet djalit piper në sy? Jo, kryeministër, jo.
Mos i hy në gjynah çunit. Do të të gjejë belaja e çunit tim. Të ballafaqohet me mua Edi Rama”, shprehet ajo. Ndër të tjera, gazetari ka treguar edhe kushtet e vështira në të cilat gruaja me të birin jetojnë. Siç ka treguar vetë ajo, që prej ditës së djeshme njësia bashkiake e ka transferuar në një banesë sociale, ku, siç shihet edhe nga pamjet, kushtet janë të vështira.
“Më sollën mbrëmë këtu. Te shtëpia tjetër nuk kisha drita, këtu nuk kishte ujë, por ma sollën sot”, ka thënë ajo. Në fund, nëna e djalit 19-vjeçar kishte edhe një apel për kryeministrin, të cilit i kërkoi të mos ia përdorë të birin në fjalët që thotë. “I ka hyrë në gjynah djalit tim. I them të mos përdorë çunin tim me ato fjalë që përdor. Nuk kam qenë në protestë dje.
Atje te Kryeministria kam dalë për hallet e mia, për çunin tim”, përfundoi ajo.
